E Diel, 1 Nëntor 2026

"Mjaft!": Prokuroria larg politikës, të zbatojë ligjin

Aktivistët e lëvizjes "Mjaft!" kërkuan që familjarët e viktimave të Gërdecit të pranohen si palë nga Prokuroria në procesin penal për tragjedinë e Gërdecit. Dje, në mesditë, lëvizja kreu një aksion para Prokurorisë së Përgjithshme, duke kërkuar nga ky institucion hetim të paanshëm të tragjedisë së Gërdecit dhe abuzimeve me fondet në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Aktivistë të lëvizjes hapën një tel me gjemba para hyrjes së godinës, duke mbajtur në duar parulla, ku bëhej thirrje për mosndërhyrje të politikës në çështjet e këtij institucioni dhe duke i kërkuar vetë Prokurorisë distancim nga deklaratat politike dhe zbatim të ligjit. "Ne i bëjmë thirrje institucionit të Prokurorisë dhe Kryeprokurores që, pavarësisht presioneve e goditjeve publike nga Kryeministri dhe kasta e tij, t‘i përmbahet me besnikëri detyrës së saj ndaj ligjit. Ne nuk duam të shohim përballje politike, por zbatim të ligjit dhe përgjegjësi maksimale për përgjegjësit, pavarësisht statusit publik që ata zotërojnë", tha aktivistja e "Mjaft!", Elisa Spiropali.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›