E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Si do na prekë kriza financiare

 

Fabiola Çela

Kriza financiare ndë-rkombëtare nuk ka infektuar Shqipërinë, por kjo nuk do të thotë që vendi ynë nuk do të vuajë pasojat e saj. Deklarata është dhënë nga vetë kreu i qeverisë, Sali Berisha, në konferencën e organizuar nga grupi “The Economist”. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha deklaroi se do t’i hiqet ekskluziviteti aeroportit “Nënë Tereza”, duke i hapur rrugë kështu ndërtimit të aeroporteve të tjerë. Po dje, kreu i qeverisë u kërkoi falje shqiptarëve për paratë e humbura në firmat piramidale.
Kriza
Berisha i ka siguruar dje të gjithë shqiptarët se bankat që operojnë në tregun vendas nuk janë prekur nga kriza financiare ndërkombëtare dhe, për rrjedhojë, paratë e depozituara në to janë të sigurta. Por pavarësisht kësaj, përsëri kjo krizë pritet të japë efektet e saj edhe në Shqipëri. Për herë të parë Kryeministri Berisha ka pranuar se efektet e ngadalësimit të rritjes ekonomike të vendeve fqinjë do të jenë të pashmangshëm për ekonominë e vendit tonë. “Jo vetëm tek të ardhurat e emigrantëve, por edhe tek investimet ndihen efektet e rritjes ekonomike të vendeve fqinjë. Por ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojmë punën tonë për krijimin e lehtësive për investitorët, pavarësisht asaj çfarë po ndodh në tregjet financiare ndërkombëtare. Sistemi bankar shqiptar funksionon normalisht”, është shprehur kreu i qeverisë, Sali Berisha. Sipas tij, Shqipëria ka një performancë shumë të mirë. Likuiditeti është shumë i mirë dhe nuk ka ndonjë impakt mbi njerëzit, të cilët kanë besim. “Depozitat e kursimeve po rriten dhe kjo për shkak se sistemi bankar në Shqipëri ka funksionuar në mënyrë normale dhe korrekte”, u shpreh ai.
Aeroporti
Qeveria shqiptare po negocion me kompaninë gjermane që ka marrë me koncesion aeroportin “Nënë Tereza” për heqjen e ekskluzivitetit të kësaj kompanie. Të dy palët kanë rënë dakord që të marrin një kompani të huaj, që do të vlerësojë dëmet e heqjes së kësaj të drejte, të cilat do të kompensohen nga qeveria shqiptare. Me heqjen e ekskluzivitetit të aeroportit “Nënë Tereza” do të hapet drita jeshile për ndërtimin e dy aeroporteve të tjerë, një në Vlorë dhe një në Sarandë.
Fajdet
Gjatë konferencës së djeshme, Kryeministri Berisha u ka kërkuar falje të gjithë shqiptarëve që kanë humbur paratë e tyre në firmat piramidale. “Ne jemi një vend që vuajti nga një sistem mashtrues i piramidave. Në atë kohë unë isha President i vendit dhe ne kishim një vakum total mjetesh për t’i bllokuar ato. Unë pashë me kujdes nëse ndonjë agjenci publike ishte e përfshirë në këto skema, ashtu siç ka ndodhur në disa vende të botës, por ky nuk ishte rasti i Shqipërisë. Vendi përjetoi një eksperiencë shumë të hidhur. Ishte jo njerëzore dhe për këtë rast kërkoj falje”, është shprehur ai. Por sipas Berishës, “në rastin e krizës financiare aktuale, unë kam besim se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë drejt zgjidhjes”.
Pronat
Titujt e pronësisë vazhdojnë të jenë pika e dobët e qeverisë, që mban larg investitorët e huaj. Gjatë konferencës së djeshme, ku merrnin pjesë shumë investitorë vendas dhe të huaj, këta të fundit i kanë kërkuar informacion kryeministrit lidhur me procesin e regjistrimit të pronave, një problem që, sipas tyre, pengon aktivitetin privat. Por Berisha deklaroi se reforma për regjistrimin e tokës është një nga çështjet më komplekse dhe aktualisht po bëhet verifikimi i çdo regjistrimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›