Thyerja e gurëve në veshka, tashmë me valë goditëse
AIDA MALAJ
Kohët e fundit për eliminimin e gurëve në veshka po përdoret litotripsia, një metodë kjo mjaft e suksesshme dhe garanton thyerjen e gurëve të aparatit urinar me anë të valëve goditëse jashtë trupore. Kjo metodë paraqet një nga progreset më të mëdha të mjekësisë, që po përhapet çdo ditë e më tepër. Në një intervistë për “Panorama”, mjeku urolog, doktor i shkencave mjekësore Rezar Rusi, shpjegon se ku konsiston kjo metodë, kush mund t’i nënshtrohet dhe rezultatet që ka ajo:
Doktor, gjatë konferencës ndërkombëtare të urologjisë u prezantua litotripsia, si një metodë që ndihmon dhe ka sukses në trajtimin e gurëve në veshkave. Më konkretisht mund të na shpjegoni se ku konsiston kjo metodë?
Litotripsia është mënyra e thyerjes së gurëve të aparatit urinar, me anë të valëve goditëse jashtë trupore(ESWL). Kjo metodë paraqet një nga progreset më të mëdha të mjekësisë të të gjitha kohëve. Në ditët tona, ajo është po aq e përdorur sa celulari dhe kompjuteri. Ju mund të pyesni se si krijohen dhe funksionojnë valët goditëse? Burime të ndryshme energjie krijojnë impulse me presion të lartë. Nëse këto impulse kanë një presion të madh të mjaftueshëm mund të shndërrohen në valë goditëse në transmetim. Kur vala goditëse godet gurin presioni ballor i tij ndahet në një komponent kompresiv dhe në një tjetër elastik. Komponenti kompresiv hyn brenda gurit, ndërsa ai elastik reflektohet dhe shkon në drejtim të burimit të energjisë. Si rezultat i këtyre dy komponenteve të forcës, formohet një shkallë e lartë shtypëse, e cila shkakton thyerjen fillestare të sipërfaqes së gurit.
Të gjithë personat që kanë një gur në veshka, mund t’i nënshtrohen kësaj procedure për trajtim?
Jo të gjithë pacientët mund të trajtohen me litotripsi. Ekzistojnë disa kritere për të përjashtuar përdorimin e kësaj procedure. Njihen disa raste specifikë te të cilët nuk rekomandohet në mënyrë kategorike përdorimi i kësaj metode, të tillë janë të sëmurët me koagulopati të patrajtuar (të sëmurë që kanë probleme me mpiksjen e gjakut), ose që janë duke marrë antikoagulante, si dhe gratë shtatzëna. Por këta nuk janë të vetmit që përjashtohen. Njihen disa raste kur kundër indikimi konsiderohet relativë. Të tillë janë personat që kanë probleme me infeksionet urinare të patrajtuara, kanë turberkulozë aktiv, ata që kanë bllokim të sistemit urinar rrjedhës prej gurit, kanë adipozitet të theksuar,(persona shumë të dhjamosur), apo janë fëmijë më të shkurtër se 100 cm.
Në cilat raste rekomandohet?
Kur gurët renale radioopake (gurë të dukshëm në radiografi), janë me diametër deri 3cm, pavarësisht pozicionit në sistemit kolektor, gurët ureterale radioopake, ata që mbeten mbas kirurgjisë së hapur ose nefrolizës perkutane. Gurët radiotransparente mund të lokalizohen me fluoroskopi vetëm mbas administrimit të kontrastit.
Çfarë duhet të ketë parasysh pacienti përpara se t’i nënshtrohet një procedure të tillë?
Pacientët duhet të kenë kryer disa ekzaminime para procedurës së litotripsisë: Radiografi direkte e aparatit urinar, pyelografi intravenoze, ekg, analiza e gjakut, analiza e urinës etj. Për një përcaktim korrekt të indikacionit për ESWL, ekzaminim radiologjik duhet vlerësuar nga një urolog me eksperiencë në përdorimin e ESWL. Njëkohësisht pacienti duhet të përgatitet një natë para trajtimit duke përdorur laksative dhe të marrë antibiotikë në rast të infeksionit të rrugëve urinare. Ditën e litotripsisë duhet të jetë esëll.
A mund të shfaqen komplikacione?
Gjatë procesit të ESWL ndodhin shumë rrallë komplikacione ( më pak se 1%), por vihen re disi më shpesh disa efekte anësore si: skuqje në lëkurë në vendin e hyrjes së valëve, nauzea(të përziera), marrje mendsh dhe ndonjëherë dhimbje gjatë eliminimit të grimcave të gurit. Këto kalojnë shpejt, dhe komplikacionet e rënda janë shumë të rralla.
Sa të suksesshme janë këto seanca?
Rreth 80% e rasteve në fund të seancës së parë rezultojnë me fragmentizim të gurit. Dhe pacienti ndiqet derisa bëhet eliminimi spontan i grimcave të gurëve. Ata i nënshtrohen një kontrolli echografik ose radiologjik çdo 2-3 javë, për të parë se si është ecuria e pacientit. Në raste kolikash kontrolli kryhet më shpejt. Megjithatë do të nënvizoja se në bazë të një shqyrtimi të gjerë të literaturës botërore, por dhe nga eksperienca personale, mund të thuhet se ESWL është aplikimi më i suksesshëm në trajtimin e gurëve të aparatit urinar. Sipas autorëve të ndryshëm, suksesi i fragmentizimit të gurëve është shumë i lartë duke aplikuar valët goditëse, por aftësia e veshkës dhe ureterit për të pastruar këto fragmente është shumë e rëndësishme në drejtim të rezultatit të suksesshëm përfundimtar. Madje në një studim, që kam kryer kohët e fundit dhe të botuar në revistën “European Urology” rezultoi se veshkat dhe ureteret rezultojnë të pastruara tërësisht në 95% të rasteve dhe që në varësi të madhësisë dhe pozicionit të gurit arrin në 98%.