Telenovela e merkatos,“Bogu bardhekaltër”
Bogdani mund të ishte transferuar te Lacio gjatë kësaj vere, madje të zëvendësonte pikërisht Igli Taren, i cili u tërhoq nga futbolli i luajtur. Interesimi i klubit roman për 31-vjeçarin nga Tirana ishte serioz, të paktën sipas medias italiane. Megjithatë, ka qenë vetë Tare, ai që sqaroi më tej situatën, duke thënë se Lacio ishte në kërkim të një sulmuesi me karakteristika të ndryshme nga ato të Bogdanit, e më pas telenovela këtu mori fund. Në fakt, vitet e fundit, gjithnjë gjatë afateve të merkatos, kishte përplasje artikujsh në lidhje me dy sulmuesit shqiptarë, sepse për shkak të karakteristikave të njëjta, shtypi sportiv në Itali shpeshherë i “transferonte” dy gjigantët kuqezi në të njëjtën skuadër, gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Tare e Bogdani kanë luajtur për një periudhë të gjatë bashkë në Kombëtaren shqiptare, megjithëse sa herë që kanë zbritur në fushë të dy, asnjëri prej tyre nuk ka shënuar. Vetë futbollistët kanë pohuar se kanë raporte të mira me njëri-tjetrin.