E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi: Bankat të kursejnë investimet jashtë

 

Banka e Shqipërisë u ka reduktuar sasinë e parave që bankat e nivelit të dytë mund të investojnë te bankat mëmë që operojnë në vende të tjera. Një vendim i tillë është marrë për të ruajtur gjendjen e likuiditetin në banka, si një mënyrë kjo për të parandaluar përhapjen e rrezikut të krizës ndërkombëtare financiare në Shqipëri. Sipas rregullit të ri të BSH-së, bankat e nivelit të dytë që janë degë e bankave të huaja mund të investojnë apo depozitojnë 10 për qind të kapitalit të tyre jashtë vendit, ndërkohë që më parë ky nivel ishte 25 për qind. “Bankat që veprojnë në Shqipëri nuk mund të depozitojnë apo investojnë më shumë se 10 për qind të kapitalit të tyre me bankat ‘prindër’”, ka thënë për “Reuters”, Gramoz Kolasi, kreu i departamentit monetar në bankën qendrore. “Më parë limiti ishte 25 për qind kur kompania-prind ishte një bankë. Kjo natyrisht do të forcojë bankat dhe sot të parandalojë rrezikun e instrumenteve apo institucioneve financiare”, ka thënë ai. Ndryshe nga masat e marra në vende të tjera, banka qendrore shqiptare ka preferuar të mënjanojë ato që ajo i konsideron si masa ‘ekstreme’, dhe nuk ka dashur të kufizojë transaksionet e kapitalit, shpjegoi Kolasi. “Ne thjesht po themi investo këtë sasi (10 për qind) në një firmë dhe investo pa limite në shumë firma të tjera. Kështu çfarëdo që të ndodhë me bankat prind, unë do të jem i qetë se e bija është e sigurt. Ne themi: të shpërndajmë rrezikun”, shtoi ai. Një sërë bankash evropiane operojnë në Shqipëri përfshirë bankën austriake  ‘Raiffeisen’, italiane ‘Intesa Sanpaolo’, greke ‘Alpha Bank’ dhe franceze ‘Societe Generale’, që zotëron 75 për qind të Bankës Popullore. Menaxheri i Bankës Popullore, Edvin Libohova, i cili është njëkohësisht edhe kreu i shoqatës shqiptare bankare, ka thënë për “Reuters” se ka marrë ankesa nga dy banka, por ato ende duhet t’i shkruajnë detajet atij. Këshilli Mbikëqyrës i bankave mësohet të ketë marrë këtë vendim gati 20 ditë më parë, pikërisht atëherë kur Guvernatori Ardian Fullani tha se sistemi bankar në Shqipëri ishte “i sigurt, i mirë-kapitalizuar, përfitues dhe likuid” dhe asnjë prej bankave të tij nuk kishte investuar në asete toksike (të prishura). Vendimi i publikuar në buletinin e bankës është diskutuar edhe më përpara se të niste kriza globale financiare, por kriza e shtyu më shumë bankën qendrore për të minimizuar ekspozimin dhe rreziqet e të ardhmes. Indrit Banka, kreu i departamentit të vëzhgimit bankar tha: “Ne nuk po flasim për transferta. Ne po flasim për investime, vendosje, depozita. Paratë janë atje”. Banka tha se kjo lëvizje i referohej kryesisht instrumenteve financiare në vështirësi. Për shkak të krizës globale, banka nga vendet anëtare të OBZHE (Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik) nuk do të konsiderohen pa rrezik për investime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›