E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas Lorikut, një tjetër Cana do Marsejën

 

Mbiemri Cana do të mbetet për një kohë të gjatë në qendër të vëmendjes te dashamirësit e futbollit shqiptar. Pas Agimit (futbollistit të gjeneratës së artë të Prishtinës) dhe Lorikut, që po lë gjurmë të pashlyeshme në futbollin shqiptar e atë evropian, një emër tjetër që po vjen nga familja Cana është edhe 17-vjeçari Graniti. Ky futbollist luan si mesfushor i majtë në skuadrën e të rinjve të Prishtinës. Hapat e parë si futbollist i nisi në skuadrën e 2 korrikut, në moshën 9-vjeçare. Në këtë skuadër, ai kaloi pesë vjet dhe më pastaj u bashkua me Prishtinën. “Deri tani kam luajtur për skuadrën e para të rinjve të Prishtinës, ndërsa këtë vit jam bashkuar me skuadrën e të rinjve. Në këtë kategori, konkurrenca është shumë e fortë, ndaj mundohem që në çdo stërvitje të jap maksimumin”, rrëfen 17-vjeçari Cana. Muaj më parë Graniti ka qëndruar për rreth një muaj te skuadra e Marsejës (Francë), ku ishte në provë te skuadra e kategorisë së të rinjve. “Loriku, të cilin e kam dhe djalë xhaxhai, më mundësoi që të qëndroja për një muaj te skuadra e Marsejës. Isha në provë për një muaj, ku kalova një eksperiencë shumë të mirë. Tani jam duke pritur përgjigje nga kjo skuadër, nëse do t’i bashkohem apo jo në muajt në vijim”, u shpreh Cana. Ndërkaq, për sa i përket shkathtësive të tij, ky futbollist thotë se ato janë asistet e sakta për sulmuesit, pasi luan në pozicionin e mesfushorit të majtë. “Synimi im është që një të ardhme të afërt të dal jashtë Kosovës. Ëndërroj të luaj për një skuadër të Italisë ose të Francës. E di se më pret një rrugë e vështirë, por jam i bindur se me përkrahjen e familjes si dhe me angazhimin tim do t’ia arrij këtij synimi”, ka përfunduar Granit Cana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›