Tiranë ‘88, në sytë e diplomates italiane që pa rrëzimin e sistemit
Alma Mile
Bluja e uniformave të policëve, që jepnin e merrnin me radiomarrëse, ishte ngjyra më e gëzueshme. Takimi i parë më Shqipërinë ishte i trishtë. I vëllai i kishte thënë të shkonte në Kenia, por ajo një komuniste kokëfortë kishte vendosur të vinte në Tiranë. Serena Luciani është dëshmitare okulare e shumë ngjarjeve në Shqipëri. Ka jetuar dimrin e vetmisë së madhe, tërmetin e ndryshimeve, kaosin, emigrimin… Serena Luciani, ishte 45 vjeçe kur erdhi në Tiranë, si drejtoreshë e Institutit italian të Kulturës dhe do të kalonte tre vite të jetës së saj, e gjurmuar në çdo çast prej agjentëve të sigurimit. Por italiania e fortë, arriti ta jetonte gjithçka si në film. Këtë periudhë të paharrueshme në vitet 1988-1990, ajo e ka hedhur në letër. Sapo ka nxjerrë nga botimi romanin e saj “Terremoto a Tirana”. “Tërmet në Tiranë” - “Intriga, dashuri e spiunë në rënie të komunizmit”. Një roman historik, ku rreth personazheve të vërtetë, apo krijime të fantazisë vërtiten ngjarje të mëdha historike. Përgjatë romanit ngrenë krye emra të njohur si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Zhani Ciko (Il maestro) ia dedikon së pari librin e saj, apo diktatori Enver Hoxha e pasuesi i tij Ramiz Alia. Para dhe pas misionit të saj të Tiranë, Serena Luciani ka punuar si gazetare, skenariste e regjisore të disa prej emisioneve më të ndjekura në ekranet italiane, si “Opinion”, apo “Chi la visto” në RAI 3. Madje, para 5-6 vitesh ka intervistuar edhe shkrimtarët Kadare e Agolli për gazetën “Il Manifesto”. Ka punuar në Londër si drejtore e Institutit italian të Kulturës, është presidente e shoqatës së miqësisë Itali-Shqipëri “Syri blu” dhe tanimë po ia dedikon gjithë kohën e saj librave. Ka shkruar tregime, të cilat dëshiron t’i botojë në Shqipëri, një libër historik mbi luftën në Ballkan dhe sapo ka hedhur në qarkullim në Itali romanin e saj “Terremoto a Tirana”, promovimi i të cilit do të zhvillohet këto ditë në Romë, ku do të jenë të ftuar edhe personazhe realë të romanit. Rreth 4 vite më parë Luciani u rikthye në Tiranë për të rilidhur fijet me të kaluarën. Për të takuar të njohurit e dikurshëm, por edhe për të gjetur në arkiva fakte e ngjarje. Ajo do ta quante eksperiencën në Tiranë një çmenduri, periudhën e vetmisë së madhe, kur ishte e ndaluar të flitej me të huajt, ndërkohë që marrëdhëniet në trupin diplomatik ishin shumë formale. Nuk kishte asgjë për të bërë, veçse të shkoje në Teatrin e Operës, e vetmja gjë që mund të kuptonte, apo të shëtiste në liqenin e Tiranës, gjithnjë nën shoqërinë e një sigurimsi, që e ndiqte vazhdimisht pas. Përmes librit të saj Luciani na rikthen pas në kohë. Na kujton copa historie të përjetuara, por edhe zbulon një botë të panjohur së jashtmi. Ambientet e ambasadave, ku zyrtarët ishin të survejuar nga agjentët e sigurimit, vendas, por edhe prej vetë vendeve të tyre. Të dyja palët kishin metodat e veta të “nxjerrjes” së sekreteve. Të huajt me joshje, shqiptarët në një mënyrë më primitive. Edhe pse detyra e saj ishte të përçonte kulturën italiane në Shqipëri, në të vërtetë nuk bënte asgjë. Pas vitit ’85, kur 6 vëllezërit e motrat Popa kërkuan strehim politik në ambasadën italiane, situata u bë edhe më e nderë. Të vetmet aktivitete që u lejuan të bënin ishin disa takime me mjekë, fizikanë. Edhe kur më në fund i thanë “po” për të realizuar operën “La boheme”, vetëm 5 ditë para ardhjes së dirigjentit i thanë, se shfaqja nuk do të zhvillohej. Arriti të realizonte vetëm një koncert dhe ky me ndihmën e mjeshtrit Zhani Ciko, orkestrën e të cilit arriti ta çonte në një turne.
Fragmente nga romani historik
i Serena Lucianit
Nga ai moment nisi një shi i rrëmbyer. Të paktën kështu nuk kishte më pluhur. Qielli ishte i errët dhe i baltosur si toka, i trishtuar. Tepër e çuditshme, por përgjatë rrugës nuk shihej asnjë bar, apo kafene. Shumë e çuditshme për një vend që ngrihet buzë Mesdheut. Herë pas here dukej ndonjë polic me uniformë blu, e vetmja ngjyrë në atë përzierje ngjyrash mes grisë dhe bezhës. Atëherë kuptuam se kishim arritur në një fshat. Sapo na pa, burri vendosi radiomarrësen vesh dhe filloi të murmuriste diçka. Por ajo që më goditi më shumë... diçka e pa parë kurrë, as në Turqinë e 20 viteve më parë, në mjerim të plotë... Ishte një radhë me njerëz, burra, gra, të moshuar, fshatarë të veshur me lecka. Ecnin nën shi, indiferentë. Ngadalë si nën diellin e korrikut. Një procesion absurd, sepse asnjë nuk kishte një ombrellë, apo një shami a një gazetë mbi kokë. Ecnin si fantazma, të dorëzuar. Vinin nga hiçi e shkonin në hiç.
- Po bunkerët, nuk i vutë re bunkerët? Veprën arkitektonike më të përhapur në Shqipëri?
* * *
- Për një moment më kapi një frikë dhe shpërtheva: “Boll, është tepër e tmerrshme, kthehemi në Romë..”, por vëllai im duke qeshur në mënyrë të çuditshme më thotë: “Të thashë, ose zgjidh Kenian, ose lëre fare...tani jemi këtu dhe do të qëndrosh”. E dini, më kishin frikësuar duke më thënë se që këtu askush nuk mund të dalë, u ndjeva si i zënë për fyti dhe ai vazhdonte: “Jepi Fleur, asnjëherë më në jetë nuk do të mund të jesh pritur nga një delegacion i tillë... madje as Mbretëresha Elisabetë nëpër Commonwealth!” Për fat shiu pushoi dhe në sfond u duk Tirana.(fq 33-34)
* * *
E gjithë kjo rridhte për Listrin si një film me skenar të keq.
Ku ishin parë të tillë agjentë sekretë, që në vend të fshiheshin pas pemëve dhe kolonave, ecnin fare dukshëm me ritmin e hapave të “presë” në një distancë prej dy metrash në vijë diagonale? Kjo bënte që të dukeshin me të ndjekurin gati si një çift i vjetër i lidhur përjetë nga mërzia e përbashkët. Fiora kërcente gëzueshëm mbi biçikletë, duke kënduar pjesë nga operat, që dëgjonte me kufje. Ata që e ndiqnin, ditëve të para u çuditën nga kjo italiane ndryshe nga të tjerat.
Mbi Listrin ishte e vështirë të bëje një raport të qartë dhe të shteruar. Në ditarin e saj që ruhej në mënyrë të pandërprerë nga kamera pranë shtratit, Fiora shkruante madje se ishte e lumtur nga kjo ndjesi e çuditshme, që e bënte të ndihej e lirë nga çdo peshë e marrë nga Italia. Nga gjithë depresioni që bashkëkombësit e saj.
Sebastian i kishte dhuruar Fiores një botim të vjetër të ditarit, që Joseph Roth kishte shkruar në vitin 1927 pas kthimit nga një udhëtim në Shqipëri. “Nga këto anë duhet më shumë guxim për të folur sesa për të shkrepur armën. Shqiptarët kanë frikë se edhe muret kanë veshë. Sheh tek kushdo një spiun. Nuk janë në shijen e tyre gjërat që nuk kanë rrezik brenda”. Kurajë, mister dhe intrigë, zakoni i spiunimit, ishin kështu karakteristikat e lashta të këtij populli.
* * *
- Bukur? Bella Albania? - theu heshtjen i pari sigurimsi.
- Po, e bukur. - iu përgjigj ajo në mënyrë të sjellshme.
Në të vërtetë, pa shenja të një të shkuare të gjatë, Tirana nuk ishte tërheqëse. Përgjatë Lanës, jo një lumë i vërtetë, por një kanal i vogël, spikasnin disa ndërtime të epokës sovjetike me dinjitetin e tyre arkitektonik tashmë disi të lëkundur. Pjesa e qendrës, e ndërtuar nga fashistët italianë, kishte një lloj moderniteti, një racionalitet banal. Bulevardi i madh me pemët e larta, edhe pse pa asnjë kafene, ishte zona më e pëlqyeshme. Jo rastësisht aty bëhej xhiroja e madhe.
Përballë kësaj, i ashtuquajturi “Bllok”, me vilëzat e drejtuesve, që njerëzve të thjeshtë u dukeshin luksoze. Në të vërtetë ideja e luksit krijohej prej faktit, që lagjja ishte e rrethuar nga policë të armatosur, pa mundësi kalimi.
E vijonin më tej rrugicat me shtëpitë e bardha, të varfra dhe shëndetliga së brendshmi, të bukura së jashtmi, me oborret plot lule, fiq e nespulla. Të huajt nuk vinin këmbë, edhe pse ato lagje në fillim të shekullit kishin magjepsur fotografët evropianë, si kujtim i pushtimit osman. Shtëpitë e ndërtuara gjatë viteve të komunizmit ishin gri dhe të trishtuara, shpesh të pa suvatuara, si të thoshin “kemi lindur për të vuajtur”, por më pak shëndetliga se ato të vjetrat pa asnjë lloj shërbimi e dysheme. (fq 36-37)
* * *
-Le të kthehemi tek Mehmeti: gruaja e tij është më fatlume, është në burg në Tiranë. E di se cilët ishin dy të akuzuarit?
- Enveri?
- Po, jo.. Kujto se Mehmeti kishte gjunjëzuar gjermanë nazistë dhe fashistë italianë. Shumë më me vlerë se Enveri.. edhe pse Kruscev në kujtimet e tij shkruan se ishte i lumtur të mbyste me duart e veta ndonjë të burgosur.
- Po kush ishte atëherë? E ashtuquajtura Lady Mackbeth, gruaja e Enverit?
- Jo, në fakt ajo qeverisi ca më vonë, kur ai ishte i plakur dhe i sëmurë.. por nuk ke shkuar larg, akuzuesi ishte një që ajo e kishte mbrojtur gjithnjë, një ndër të paktët drejtues që nuk ra nën dyshim... Ai që do të ishte që atëherë “Dyshi” i përjetshëm.. pra presidenti aktual.
- Është e çuditshme kjo që më thua. Kam dëgjuar të flitet keq për të gjithë shqiptarët të Ministrisë së Brendshme, kreun e Policisë, por zërat mbi presidentin janë të tjera, ka nga ata që thonë se ka tentuar një hapje të “ndrojtur” pas vdekjes së Enverit, por që u bllokua nga të “fortët”..
* * *
Po Mehmeti a nuk ishte një nga të fortët?
- Pikërisht për këtë! Nëse një të forti si ai arrihet t’i mbyllet goja, si mund të shpresonin t’ia hidhnin më liberalët? Në fakt, të gjitha hapësirat e brendshme e të jashtme, u mbyllën. Me asfiksinë e izolimit erdhi me shpejtësi kriza ekonomike, që do të thotë faza që ne po përjetojmë tani. Për të qenë të ndershëm duhet të themi se edhe në Itali kanë ndodhur vetëvrasje politike.. madje edhe papa i parafundit, thuhet.. në Angli, të gjithë fizikanët të lidhur me nuklearen, në mënyrë të çuditshme. Në Amerikë janë më të ndershëm, preferojnë të vrapojnë drejt e tek presidenti! Por nëse në Perëndim limitohemi tek drejtuesit, në vendet komuniste nuk shpëton askush. (fq 162-163)
Një ditë më pas u përurua Piramida. Në qendër ngrihej gjigant një statujë prej mermeri të bardhë e diktatorit të ulur. Në katin e sipërm ishin kujtimet nga jeta e tij e përditshme, syze, mbajtëse cigaresh, gjëra të tilla, përveç fotove bardhë e zi, që e tregonin si një div të kinemasë amerikane të viteve ’40, me flokët me brilantinë, të tipit të gangsterit. Nëndrejtori komentoi se një ditë do të kthehej në një sallë rroku. Një grup polifonik nga Gjirokastra interpretoi për ta këngën “Erdhi Enveri, erdhi”. Atëherë rektori shtoi, se ndoshta kohët e rrokut nuk ishin pjekur ende. Në ato momente askush nuk e imagjinonte se sa afër ishte rënia e Lindjes. (fq 172)
Gjatë muajit korrik të rinjtë e Tiranës vazhduan manifestimet, por nuk kishte dhunë. Shpresonin shumë që shkrimtari aq i dashur, Ismail të vihej në krye të lëvizjes dhe të propozohej si presidenti i ri.
Ndërkohë, Bagdadi kërcënonte me luftë, me pretekstin se Kuvajti në mënyrë ilegale i kishte vjedhur naftën në kufi...
Evropianët gjetën një udhë të mesme me amerikanët për t’i dhënë ndihmë Perestrojkës, por ndërkohë u shprehën me rezerva për planin Marshall. Edhe në Bashkimin Sovjetik ndihej era e krizës dhe nëpër dyqane mallrat bëheshin gjithnjë e më të rralla. Më 30 korrik, Shqipëria rilidhi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Për të riparë gratë ruse dhe fëmijët, kurrë më të takuar që nga koha e thyerjes, ishte një rast i papritur që do të çekuilibronte zemrat e burrave shqiptarë pas 25 vitesh, të cilët ndërkohë kishin krijuar familje të reja. Tashmë do të zgjoheshin dëshira të vjetra dhe vuajtje, duke vendosur një ekuilibër bastard, por gjithsesi paqësor. (Fq. 355)