E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: S’jemi përfshirë në krizën globale

 

Ekonomia shqiptare nuk është e përfshirë nga vala e krizë globale financiare. Ky ka qenë reagimi i Kryeministrit Berisha ndaj opozitës, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Madje në deklaratën e tij, Berisha ka renditur edhe tre arsyet kryesore që, sipas tij, kanë mundësuar shmangien e ekonomisë vendase nga kriza. “Tre arsyet kryesore të shmangies së krizës: Shqipëria është vendi me taksa më të ulëta në Europë, rritja e investimeve, ku vetëm në vitin 2008 qeveria ka investuar 32 për qind të buxhetit, si dhe mbështetja me kreditim e sektorit të ndërtimit”, u shpreh ai. Konkretisht qeveria ka vendosur që të kreditojë blerjen 6 mijë apartamenteve. “Ky është stimuli më i fuqishëm në histori që i është dhënë këtij sektori, në proporcion me vendin dhe situatën”, u shpreh Kryeministri. Gjatë deklaratës së tij, Berisha ka reaguar ashpër ndaj akuzave të opozitës për infektimin e ekonomisë nga kriza globale. “T’u biesh borive të mjerimit, vetëm për karrigen tënde, ta ëndërrosh krizën si një mekanizëm për të ndërtuar pushtetin tënd, kjo është në radhë të parë cinizëm ekstrem dhe çnjerëzim maksimal, një mashtrim i turpshëm”, ka thënë Kryeministri. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se në mënyrë absolute nuk ka thënë dhe nuk mund të thotë njeri se pasojat e krizës nuk do të mund të prekin Shqipërinë, pasi  sigurisht që ulja e kërkesës botërore ka ndikim direkt në eksportet e Shqipërisë. Duke iu përgjigjur pretendimeve të opozitës për mungesën e një pakete konkrete të qeverisë shqiptare në rast krize, Kryeministri bëri të qartë se qeveria shqiptare e ka vënë në zbatim këtë paketë fiskale antikrizë dy vjet më parë.

3,5 per qind
deri në 4 për qind do të jetë rritja ekonomike për këtë vit. Sipas ndërkombëtarëve, shkak për këtë rënie të rritjes ekonomike është kriza globale

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›