E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama nuk ka respekt për gratë, i përdor për të sharë LSI-në

 

LSI mblodhi pasditen e djeshme Konventën e parë të Gruas për Integrim. Në sallën e tejmbushur, kreu i LSI-së, Ilir Meta, i uroi 8 Marsin të gjitha grave të Shqipërisë dhe u premtoi se ndryshimi i vërtetë do të vijë në jetën e tyre në 28 qershor, me fitoren e kësaj force politike. Meta cilësoi si alternativën e vetme LSI-në, pasi si Berisha, ashtu dhe Rama kanë konsumuar pushtetin e tyre. “Ne nuk mund ta lëmë Shqipërinë as në duart e asaj bishës që përmendi Shqiponja, që nuk pati mëshirë dhe keqardhje as për baxhanakun e vet që e bëri hasha atje në Gërdec, por nuk mund t’i lëmë ne shqiptarët dhe fëmijët tanë dhe të gjithë Shqipërisë as në dorën e një aventurieri, i cili kujton, për faj të gjithë ne socialistëve që e mësuam me pushtet që ditën e parë që zbriti nga avioni, duke e bërë ministër, e deri tani, se me pushtet, me para e me dy televizione mund të bëjë budalla dhe të manipulojë një popull të tërë. Kjo gjë nuk mund të ndodhë dhe nuk do të ndodhë”, tha Meta. Sipas tij ka një zgjidhje. “Kjo zgjidhje është Lëvizja Socialiste për Integrim dhe koalicioni i saj progresist. Kjo zgjidhje nuk është as me Sali Berishën dhe as diku tjetër, përtej të majtës dhe të djathtës. Kjo është një zgjidhje shumë e qartë. Është një alternativë e të majtës dhe e progresistëve”, tha Meta. Kreu i LSI-së adresoi akuza të rënda ndaj Edi Ramës edhe në marrëdhëniet e tij me gratë. “Është ky zyrtar i PS-së, i cili për fat të keq po tregon çdo ditë edhe më shumë që nuk ka asnjë respekt për gratë dhe për vajzat shqiptare. Sepse vazhdon duke i përdorur ato, sepse i përdor vetëm për të sharë apo për të provokuar kryetarin e LSI-së apo funksionarë të tjerë të kësaj partie”, tha Meta. Kreu i LSI-së akuzoi qeverinë dhe Kryeministrin Berisha se kanë rënduar jetën e familjes shqiptare. “Ne kemi sot një shoqëri të tronditur, kemi një familje të tronditur nga fenomenet e tranzicionit nga vështirësitë e shumta ekonomike, dhe sidomos nga mungesa e politikave shtetërore sociale. Por në radhë të parë familja shqiptare është e tronditur nga prishja e vlerave të saj tradicionale”, tha Meta.

Kodheli: Jemi të shokuar
Menjëherë pas fjalës së Metës ka reaguar dhe selia rozë. Zëdhënësja e kryesisë socialiste, Mimi Kodheli, shprehu keqardhje për gjuhën e përdorur ndaj PS-së. “Jemi të shokuar nga berishizmi i Ilir Metës dhe nga ngjashmëria e tij me zëdhënësin e Sali Berishës, por kjo është zgjedhja e tij. Sot jam këtu për t‘i thënë atij të mos merret me gratë opozitare, që e thonë hapur atë që mendojnë. Si njëra ndër to, i them se mua më nxjerr në publik kundër Sali Berishës dhe së fundmi edhe kundër tij, bindja ime se Sali Berisha po e shkatërron këtë vend, kurse Ilir Meta është bërë paterica e tij”, tha Kodheli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›