E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gardianët shqiptarë midis më të mirëve në botë

Tetë portierë janë përfshirë në listën e 438 më të “pastërve” në planet. Gogunja, me 1037 minuta pa pësuar gol, renditet i 38-ti në superlistën

Dash Frashëri

Tetë portierë shqiptarë janë në listën prestigjioze botërore të hartuar nga Instituti i Historisë e Statistikave në futboll (IFFHS), për 438 gardianët që kanë mbajtur të pastër portën për shumë minuta në kampionatet e vendeve të tyre. Lista e azhurnuar është publikuar të premten, më 6 mars 2009.
Elbasanasi Bujar Gogunja, i cili mbajti për 1037 minuta të paprekur portën e Labinotit (Elbasanit të sotëm), është edhe rekordmeni shqiptar. Rekordi absolut është 1816 minuta e mbahet nga braziliani Mazaropi i Vasko de Gamës).
Gogunja, i cili për më shumë se 11 vjet (1974-1985) mbrojti katërkëndëshin e Labinotit, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitimin e titullit të parë kampion të verdhebluve në sezonin 1983-1984.
Gogunja e mbajti të panjollosur portën në 11 takime radhazi, por në minutën e 43-të të ndeshjes së 12-të ishte Genc Tomori i Partizanit ai që me golin e tij ndërpreu “tragjikisht” rekordin absolut në Shqipëri të Bujarit.
Në kampionatin e sezonit 1983-1984, Elbasani në 26 ndeshje pësoi në total 14 gola (15 fitore, 7 barazime, 4 humbje, 37 pikë. Atëherë një fitore vlerësohej 2 pikë).
Podiumin shqiptar të tre më të mirëve e kompletojnë Kujtim Rama (Teuta, 927 minuta, i 71-ti) dhe Raqi Psiku (Partizani, 905 minuta, i 79-ti).
Ndër emrat e spikatur të portës shqiptare janë tre ish-portierë të Kombëtares shqiptare: Dodë Tahiri (Vllaznia, 898 minuta, i 90-ti), Qemal Vogli (Dinamo, 840 minuta, i 114-ti) dhe Foto Strakosha (Dinamo, 695 minuta, i 332-ti).
Në dhjetëshen më të mirë në botë janë braziliani Matos Filho, i mbiquajtur “Mazaropi”, i cili mbajti të bardhë portën e Vasko de Gamës për 1816 minuta. I dyti është egjiptiani Tabet El-Batal i Nacionalit të Kairos me 1442 minuta. Treshen e plotëson belgu Deni Verlinden i Bryzhit me 1390 minuta pa gol.

RENDITJA E PORTIERËVE SHQIPTARË

38. Bujar Gogunja (Labinoti, sot Elbasani)
1037 minuta, 11.12.1983-13.05.1984

71. Kujtim Shtama (Teuta)
927 minuta, 12.02.1994-30.04.1994

79. Raqi Pisku (Partizani)
905 minuta, 14.01.1951-18.03.1951

90. Dodë Tahiri (Vllaznia)
898 minuta, 02.09.1945-23.12.1945

114.Qemal Vogli (Dinamo)
840 minuta, 21.01.1952-23.03.1952

121. Anesti Arapi (Flamurtari)
827 minuta, 07.10.1990-09.12.1990

127. Xhevahir Kapllani (Teuta)
824 minuta, 02.10.1993-05.02.1994

332. Foto Strakosha (Dinamo)
695 minuta, 04.03.1990-22.04.1990

SKEDA GOGUNJA
Emri: Bujar Gogunja
Vitlindja: 1957
Vendlindja: Elbasan
Profesioni: Futbollist, portier, trajner
1974 - 1985: Luan me Elbasanin
Tituj: 1983-1984, Kampion i Shqipërisë me Elbasanin
Rekordi: 1983-1984, nuk pëson gol për 1037 minuta

DHJETË MË TË MIRËT NË BOTË

1. Geraldo Pereira “Mazaropi”, Brazil, 1816 min.
2. El Batal, National, Egjipt, 1442 min.
3. D. Verlinden, Bryzh, Belgjikë, 1390 min.
4. H.M. Buljubasish, Universidad, Argjentinë, 1352 min.
5. El Batal, National, Egjipt, 1325 min
6. Edvin V.D.Sar, Mançester Jun., Holandë, 1311 min.
7. E.El-Hadari, National, Egjipt, 1288 min.
8. A.R. Gomezh, Atletiko Madrid, Spanjë, 1275 min.
9. G.Huard, Bordo, Francë, 1266 min
10.A.Donizete “Zeti”, Palmeiras, Brazi, 1242 min.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›