Legalizimet, shpërndahen 60 lejet e para
Fabiola Çela
Ka nisur dje procesi i ndarjes së lejeve të para të legalizimit për ndërtimet informale. Kreu i Agjencisë së Legalizimit të ndërtimeve informale, Shaban Memia, ka shpërndarë dje 60 lejet e para të legalizimit. Sipas tij, duke nisur nga java që vjen do të nisë shpërndarja e lejeve të legalizimit për të gjitha qarqet dhe rrethet e vendit. Qeveria ka vendosur edhe kushte lehtësuese për qytetarët. Ata që do të paguajnë menjëherë me para në dorë vlerën e legalizimit të objektit të tyre, do të kenë 20 për qind ulje të vlerës totale.
Procesi
Gjatë ceremo-nisë së djeshme ishin të pranishëm kreu i qeverisë, Sali Berisha si dhe ministrat Bode dhe Olldashi. Kreu i Agjencisë së Legalizimit, Memia, u shpreh dje se agjencia që ai drejton deri më tani ka bërë të mundur përditësimin në terren të 134.341 objekteve informale. Për këto objekte është përgatitur dokumentacioni teknik, si gentplane, planimetritë e kateve etj., si dhe janë dixhitalizuar të dhënat teknike të tyre dhe janë pasqyruar në hartat treguese përkatëse. Sipas tij, aktualisht është miratuar kalimi në pronësi të poseduesve i parcelës ndërtimore për 16.329 objekte informale dhe janë përllogaritur detyrimet financiare të tyre si dhe është miratuar shpërblimi financiar për 653 pronarë të ligjshëm. Memia theksoi se janë plotësuar të gjithë komponentët e domosdoshëm ligjorë dhe është bërë e mundur pajisja e poseduesve të tyre me lejen e legalizimit për 4.504 pasuri informale. “Është përgatitur dokumentacioni teknik dhe janë bërë përllogaritjet mbi detyrimet financiare për 12.297 objekte informale, një pjesë e poseduesve të të cilëve kanë nisur shlyerjen e detyrimeve”, vijoi Memia. Sipas tij, duke qenë se këto objekte i ndan nga pajisja me lejen e legalizimit vetëm pagesa e detyrimeve financiare, ALUIZNI ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese për të ndërgjegjësuar poseduesit e ndërtimeve mbi rëndësinë dhe përfitimet e procesit të legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të objekteve pa leje. Pra, e thënë ndryshe, për qytetarët që do të paguajnë vlerën e legalizimit për shtëpinë e tyre, do të kenë një zbritje 20 për qind të çmimit. “Për 6.620 apartamente dhe ambiente social-ekonomike informale të ngritura në ndërtime pa leje është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm, janë shlyer nga poseduesit e tyre detyrimet financiare të procesit dhe është e mundur pajisja me lejen e legalizimit”, tha ai. Memia theksoi se rreth 6.674 shtesa informale të ngritura në objekte të ndërtuara para vitit 1993, është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm dhe poseduesit e tyre janë në fazën e shlyerjes së detyrimeve financiare. Kreu i ALUIZNI-t theksoi gjithashtu se janë identifikuar në terren rreth 10 mijë pasuri informale të ngritura në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në zonat për të cilat janë miratuar studime urbanistike, apo në territoret që gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore. Sipas tij, nisur nga numri i përgjithshëm i objekteve informale të vetëdeklaruara, administrata e ALUIZNI-t ka përfunduar dokumentacionin e nevojshëm për rreth 70% të pasurive informale të vetëdeklaruara, Ky kontingjent pret legalizimin në varësi të pagesës së detyrimeve financiare nga poseduesit e pasurive.
60 leje legalizimi
janë shpërndarë dje. Ndërkohë që duke nisur nga java që vjen do të nisë shpërndarja e lejeve të legalizimit për të gjitha
qarqet dhe rrethet e vendit
10 per qind
ulje do të kenë qytetarët që do të paguajnë brenda 1 viti vlerën e legalizimit për shtëpinë e tyre, ndërsa ata që do ta paguajnë menjëherë vlerën do të kenë një zbritje prej 20%
10 mije
objekte informale janë ndërtuar në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, apo në territoret që gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore
Plani urbanistik
Gjatë ceremonisë së djeshme kreu i qeverisë nuk ka ngurruar të sulmojë sërish kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Në deklaratën e tij ai e ka akuzuar kryetarin Rama për afera korruptive. Madje, sipas Berishës, kryetari i bashkisë mban peng qytetin dhe Tiranën me planin urbanistik. “Në këtë aspekt Tirana është modeli më i shëmtuar, jo vetëm që nuk legalizohen shtesat e pallateve, por sot nuk dorëzohet plani urbanistik i kryeqytetit, i financuar tërësisht nga Banka Botërore”, ka thënë kreu i qeverisë. Jo pak herë zyrtarë të lartë të qeverisë i kanë bërë thirrje Bashkisë së Tiranës që t’u dorëzojë planin urbanistik të Tiranës, pasi sipas tyre qeveria i disponon fondet e duhura për realizimin e këtij projekti.