E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: S’ka vend për panik

 ADI SHKEMBIKryeministri Sali Berisha tha se nuk ka vend për panik në Shkodër, megjithë nivelin e lartë të prurjeve të lumenjve gjatë ditës së djeshme. Kreu i qeverisë pa nga afër situatën në veri të vendit, ku garantoi se qyteti nuk do rrezikohet nga diga. Ai paralajmëroi masa të ashpra ndaj personave që kanë telefonuar për të frikësuar banorët mbi përmbytjen e Shkodrës ditët e fundit. "Situata është tërësisht në kontroll. Nuk them se situata nuk është e vështirë, pa diskutim që është situatë serioze, por është e tëra në kontroll në territoret e përmbytura. Digat, portat e gjithçka janë në kontroll të plotë dhe ato funksionojnë shumë shumë mirë. Ndaj aktet e djeshme, aq të turpshme, njerëz, të cilët përhapnin panik në qytet, unë kërkoj nga organet kompetente që t'i gjejnë, t'i identifikojnë dhe le të marrin një ndëshkim shembullor", theksoi kryeministri. Për të disatën ditë radhazi Berisha përsëriti apelin drejtuar banorëve të lagjeve të përmbytura që të pranojnë evakuimin. Sipas tij, gjatë ditës së djeshme ujërat kanë avancuar edhe në komunën Bushat dhe në Trush. "Ajo çka na mbetet neve dhe është më e rëndësishmja është të evakuojmë popullatën, të mos ketë asnjë humbje jete, por as edhe sëmundje, sepse mund ta imagjinoni të kalosh natën në janar, i rrethuar nga uji në të gjitha anët, është jashtëzakonisht kërcënuese për shëndetin e fëmijëve, të të moshuarve dhe shëndetin e të gjithë të tjerëve. Ndaj të bëjmë çdo përpjekje për evakuim. Sot ka një avancim të ujërave në Bushat e në Trush. Prandaj u bëj thirrje të gjithë banorëve të evakuohen dhe i garantoj ata se do të kenë kujdes të plotë, do kenë kompensimin e plotë për dëmet e shkaktuara nga kjo përmbytje. Mirëpo duhet të marrin vendimin e drejtë, të largohen nga uji," apeloi kreu i qeverisë. Berisha i është përgjigjur në të njëjtën kohë edhe akuzave të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama lidhur me keqqeverisjen dhe menaxhimin e situatës. "Unë mendoj se situata po menaxhohet në maksimumin e mundësive. Siç keni dëgjuar, është respektuar dhe po respektohet me rigorozitet rregullorja e digave. Shpresoj që edhe kryetari i opozitës të vijë këtu, t'i vizitojë këto zona dhe të konstatojë se njerëzit këtu kanë bërë përpjekjet më serioze për t'u përballur sa më me efiçencë dhe për të përballuar sa më me dinjitet dhe kosto më të ulët një situatë fatkeqësie natyrore, sepse kjo është një situatë fatkeqësie natyrore, është një forcë madhore, e cila do të dominohet", theksoi Berisha. Në fund ai kërkoi që të identifikohen të gjitha familjet që kanë strehuar familjet e përmbytura në mënyrë që të përfitojnë ndihma ushqimore. "Krahas çështjes së evakuimit, kam merak shpërndarjen e ndihmave. Duhet që ndihmat të shpërndahen edhe në ato familje, ku kanë shkuar këta banorë. Familjeve, të cilat kanë marrë njerëz në shtëpitë e tyre, mund t'u merret numri i telefonit dhe të kontaktohen. Peshkatarët, të cilët janë vënë në dispozicion këto ditë, le të punojnë kundrejt një pagese, sepse edhe ata kanë familje. Nga ana tjetër, ata kanë eksperiencën më të madhe me ujërat dhe mund të ndihmojnë", përfundoi kreu i Qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›