Livadhet, banorët 3 ditë pa ndihmë
SHKODER/ RIDVAN DIBRAKanë qëndruar prej 3 ditësh nën ujë, por vetëm dje janë shpëtuar. Banorët e lagjes informale të njohur si zona e Livadheve, buzë liqenit të Shkodrës janë shpëtuar nga përmbytja pasi kërkesat e para për ndihmë dështuan. Ata thonë se kanë tentuar të lidhen me policinë, por askush nuk u ka ardhur në ndihmë, derisa kanë mësuar për numrat e shtabit të emergjencës. Nga 500 shtëpi të zonës, 120 banesa janë përmbytur. Banorët e tyre, menjëherë pas alarmit janë evakuuar nga forcat e ushtrisë, ndërsa një pjesë e tyre ka marrë me varka njerëzit për t'i hequr nga zona e rrezikut. Zona e Livadheve i bashkohet atyre të lagjeve të tjera të mbuluara nga uji ditët e fundit, atyre të Bahçallëkut e Ajasëm, ndërsa rrezikohet shtimi i tyre nëse nuk ka përmirësim të situatës.Pasditen e djeshme mbërritëm me lundër në zonën e përmbytur, e cila vetëm dje është vënë në listën e atyre të rrezikuara nga fryrja e liqenit. Shtëpitë në këtë zonë janë vendosur te tokat e ish-ndërmarrjes së Zooteknikës. "Pas 30 vitesh luftë me jetën, kam mbet pa asgjë. A e kuptoni? Pa asgjë, jam mes katër rrugëve, kam fëmijë me rrit. Vetëm i lutem zotit që ky tmerr të mbarojë sa më parë", shprehej Nik Tomaj. "I jam gëzuar atyre bagëtive, që edhe pse tash nuk di se ku janë, por që kanë shpëtuar. Kemi 3 ditë që kërkojmë të na vijnë në ndihmë, por vetëm pasdrekën e sotme shteti u kujtua për ne. Jam vetë i pesti në mes të rrugës dhe uji ka hyrë rreth 70 centimetër brenda në shtëpi, duke më dëmtuar pajisje e ato pak orendi që kemi arritur të sigurojmë duke u marrë me bagëti". Tomaj thotë se është me fat që arriti të dalë e të shpëtojë bashkë me gruan e tre fëmijët. Pesimist që askush nuk i ka ardhur në ndihmë në kohë, ai thotë se e gjithë familja e tij do të shpërngulet në Durrës, aty ku ndodhen njerëzit e së shoqes. "Janë mbi 150 familje që nga hidrovori i Dobraçit e deri te Zukth Kashta që janë në ujë", shprehet Tomaj. "Unë quhem Filip Zefi, - shprehet një tjetër banor i zonës së Livadheve të Kirasit. - Tash 6 ditë jam në këto kushte dhe askush nuk na ka ra mbrapa. Lusim zotin që sot na erdhën disa forca policie dhe u kujtuan që edhe këtu ka njerëz". Edhe për Zefin është i njëjti shqetësim prej tre ditësh, që uji i ka hyrë në banesë dhe i ka dëmtuar pothuajse të gjithë atë pak pasuri që ka mundur të sigurojë. "Bagëtinë e kemi shpërngulur dhe tani po rrimë në mes të 4 rrugëve, pasi nuk po dimë se ku të shkojmë. është folur në media se mund të na strehojnë në konvikte, por kemi frikë me e lënë shtëpinë në dorë të zotit". Dëshmitar i gjendjes së rëndë të këtyre ditëve dhe frikën e shkaktuar nga mbërritja e ujit në banesa është Viktor Ndreu. Ai tregon se vetë i shtatë kanë shpëtuar nga vdekja nëpërmjet varkave. "Prej tre ditësh askush nuk ka ardhur për me pa se çfarë po ndodh me ne në këtë zonë. Janë marrë veç me Dajçin, Bahçallëkun e Obotin. Shyqyr që ishin disa varka në lagje e arritëm t'i largojmë njerëzit te të afërmit tanë, pasi kur u kujtu shteti, na do të kishim mbaru. çdo gjë që ka një familje modeste na ashtë dëmtuar, por shyqyr që na kanë shpëtuar njerëzit". Ndërsa Marije Kolbuçaj pohon se u është përmbytur çdo gjë në shtëpi. Me lundër afrohemi deri pranë shtëpisë së saj njëkatëshe, tashmë të rrethuar nga uji. "Teshat e shtëpisë, bagëtitë, bazën ushqimore çdo gjë që ka nevojë një familje për me jetu. Kemi dalë nga shtëpia vetëm, me rrobat që ishim veshur, pasi uji erdhi menjëherë dhe nuk patëm kohë me marrë gjë tjetër. Edhe pse kemi fol me policinë në telefon, ata na kanë thanë pritni sa të pushojë shiu e pastaj po shpëtoni. Askujt nuk i ka ra ndërmend për ne për të na strehuar në ndonjë vend". Nga ana e tyre, drejtues të shtabit të emergjencave thonë se po vazhdon evakuimi i këtyre banorëve, pasi uji po rrit nivelin e tij nga momenti në moment.