Berluskoni premton ndihma për popullsinë e dëmtuar nga përmbytjet
Qeveria italiane po ndjek me vëmendje situatën e emergjencës të krijuar në Shqipëri për shkak të përmbytjeve. Lajmi u dha dje në edicionin e lajmeve TG1, si dhe në deklaratën në faqen zyrtare të internetit të Qeverisë italiane. "Presidenti i Këshillit të Ministrave Berluskoni po ndjek me vëmendje zhvillimet e emergjencës së përmbytjeve në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë rrezikun në zonat në jug të Shkodrës, në të cilën banojnë qindra mijëra vetë", thuhet në deklaratën e qeverisë italiane në faqen e saj zyrtare në internet. Qeveria italiane ka dërguar në Shqipëri Komisarin e Jashtëzakonshëm për emergjencat e digave, Prof Roberto Guerco, i cili në një takim me Kryeministrin Berisha, Zv. Kryeministrin Meta dhe ekspertë të tjerë shqiptarë kanë hartuar strategjinë e ndërhyrjes. "Presidenti Berluskoni, i cili ka marrë nga autoritetet shqiptare falenderimet më të thella, ka konfirmuar gatishmërinë e Qeverisë italiane për të dhënë ndihma për popullsinë e prekur nga moti i keq", shprehet qeveria italiane në deklaratën e saj. Dy ditë më parë, mbërriti në Tiranë Komisari i Jashtëzakonshëm për emergjencat e digave, Prof. Roberto Guerco, i cili siguroi autoritetet shqiptare se nuk ka asnjë rrezik nga digat e hidrocentraleve. Sipas këshilltarit të Berluskonit, "gjendja është problematike, por jo alarmante dhe Italia është në krah të Shqipërisë në këtë situatë kritike".