E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Panikun e përhap Berisha

 aristir lumezi“Panikun e ka për-hapur Sali Berisha dhe jo Partia Socialiste”. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nisi dje inspektimin e zonave të përmbytura në Shkodër. "Nuk mund të merremi me përgënjeshtrimin e përditshëm të çdo gënjeshtre, por për sa më takon dhe për sa na takon, është e sigurt, ne jo vetëm nuk kemi përhapur asnjë panik, por përkundrazi kemi bërë ç'është e mundur që paniku të mos përhapet. Për këtë i kemi kërkuar publikisht dhe zyrtarisht vetë Sali Berishës që të vetpërmbahet kur flet për panik dhe kur flet për shpatën e Demokleut mbi kokën e gjithë zonës", u shpreh Rama. Kreu socialist është shprehur se situata e shkaktuar nga përmbytjet mund të ishte shmangur dhe prurjet mund të ishin kontrolluar. Rama është shprehur se opozita do kërkojë nxjerrjen e përgjegjësve për këtë katastrofë. "Kjo katastrofë e pakontrolluar erdhi nga keqqeverisja. Situata nuk u menaxhua mirë, prandaj do të kërkojmë nxjerrjen e përgjegjësve", u shpreh Rama. Kreu socialist i shoqëruar nga një numër i madh deputetësh edhe nga Tirana, ka ngritur shtabin e emergjencës së opozitës në qytetin e Shkodrës, ku ka kërkuar solidarizimin dhe kontributin e të gjithëve për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme. "Unë e kam thënë shumë qartë dhe do ta përsëris, që ne nuk do t'i ndahemi Sali Berishës dhe Qeverisë për kompensimin deri në qindarkën e fundit të të gjitha këtyre dëmeve që nuk janë shkaktuar nga Zoti, po nga keqqeverisja. Jemi absolutisht të bindur që ishte një katastrofë plotësisht e shmangshme dhe që të gjitha reshjet e prurjet e ujrave ishin plotësisht të kontrollueshme, brenda një kufiri të arsyeshëm, në rast se do të ishte vepruar konform të gjitha rregullave dhe procedurave ligjore që garantojnë menaxhimin e këtyre situatave", u shpreh Rama. Kreu socialist i ka kërkuar edhe dje Prokurorisë së Përgjithshme të nisë menjëherë hetimin për të ruajtur provat që përcaktojnë përgjegjësit e kësaj katastrofe. "Dua ta përsëris edhe sot nga zona e rënduar thirrjen time për Prokuroren e Përgjithshme për të bërë detyrën konform Kushtetutës dhe ligjit dhe për të mos lejuar që provat të fshihen dhe manipulohen, për ta nxjerrë pa lagur nga kjo përmbytje një qeveri që po mbyt demokracinë, po mbyt shtetin e së drejtës, po mbyt ekonominë dhe fatkeqësisht po mbyt fizikisht shtëpi, prona, pasuri", u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›