Berisha: Skafet, sa të jem unë, asnjë shpresë për heqjen e Moratoriumit për skafet

Tiranë, 25 janar NOA Update Kryeministri, Sali
Berisha ka deklaruar sot se heqja e Moratoriumit për skafet është e pashpresë për
sa kohë që qeveria e tij të jetë në pushtet.
Këtë deklarata, Berisha e ka bërë gjatë mbledhjes
së sotme të Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, ku u shqyrtua
përmbushja e detyrimeve të mbetura nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh
se procesi i heqjes së vizave përbën një tërësi detyrimesh për qeverinë dhe
autoritetet shqiptare, detyrime këto që po përmbushen me vendosmërinë më të
lartë.
Kryeministri theksoi hyrjen së shpejti në fuqi
të Moratoriumit për skafet, heqja e të cilit është e pashpresë për sa kohë kjo
mazhorancë të jetë në pushtet, si dhe për hyrjen e shpejtë në fuqi të
ligjit kundër krimit të organizuar, i cili shënon një kapitull të ri në luftën
kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik.
Me këtë ligj, mafia, e cila gjatë këtyre
viteve është fuqizuar në prona, duhet të humbasë çdo lloj pushteti ekonomik
tha Berisha.
Kryeministri Berisha kërkoi nga ministria e
Brendshme të shohë mundësitë, të hyjë në tratativa me kompaninë e prodhimit të
pasaportave që në disa zona, ku përqendrimi i popullsisë është më i madh, të
mund të hapen zyra të reja.
Kreu i qeverisë njoftoi se gjatë javëve që
vijnë do të ketë dy inspektime nga Komisioni Evropian lidhur me përmbushjen e
detyrimeve dhe se duhet që të avancohet çdo detyrim që rrjedh nga udhërrëfyesi.
k.k/NOA