E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Skajola: Bashkëpunim për centralin bërthamor

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Itali, zhvilloi një takim të veçantë me Ministrin italian të Ekonomisë Klaudio Skajola, në Pallatin e Prefekturës së Veronës. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti. Në takim, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi i dy qeverive duhet të vazhdojë intensiv dhe në fushën e energjisë bërthamore. Institucionet dhe agjencitë përkatëse të të dy vendeve, të sapo krijuara, duhet të përforcojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të kthejnë në rajonal projektin e ndërtimit të një centrali bërthamor, i cili do të rrisë burimet e energjisë së rinovueshme dhe do të garantojë tregun rajonal dhe atë italian me energji në afat të gjatë. Skajola ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në ngritjen e centraleve bërthamore, që prodhojnë energji të rinovueshme. “Mbështetja e Qeverisë italiane ndaj këtyre projekteve është e padiskutueshme, si dhe mbështetja për projektin e linjës së interkonjeksionit nënujor Shqipëri –Itali”,- tha ai. Berisha ritheksoi rëndësinë dhe fokusimin në koordinimin e punës për të çuar drejt suksesit projektet në fushën e energjisë së rinovueshme. Kryeministri Berisha i shprehu edhe njëherë ministrit Skajola ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj. ndërsa paraditen e djeshme Berisha ishte i ftuar nderi nw njw forum ekonomik. Në fjalën e tij, Kryeministri bëri një pasqyrë të potencialeve të Shqipërisë në fusha të ndryshme. Ai ftoi edhe investitorët italianë si dhe ata të rajonit që të investojnë në Shqipëri, duke garantuar mbështetjen e qeverisë me ligje bashkëkohore. Ndërsa sot Berisha do të zhvillojë takim me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, zotin Xhanfranko Fini në Pallatin Montecitorio, me homologun tij italian, Silvio Berluskoni dhe me kryetarin e Bashkisë së Romës, zoti Xhani Alemano.

Ky lajm është publikuar: 12/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›