Berisha tërhiqet, nderimi për viktimat e komunizmit, më 20 shkurt
Autori i Lajmit: Redaksia
Mazhoranca tërhiqet nga ideja e saj për të shpallur 29 Nëntorin si ditën e kujtesës për viktimat e komunizmit. Në një projektligj të çuar tashmë në Kuvend për diskutim dhe më pas për miratim, kryeministri Sali Berisha propozon që të jetë 20 shkurti dita e nderimit të këtyre viktimave. “Këshilli i Ministrave shpall datën 20 shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha në Tiranë si “ditë të përkujtimit publik”, të viktimave dhe të krimeve të shkaktuara nga ish-regjimi komunist në Shqipëri, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, - thuhet në nenin 3 të projektligjit “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”. Ndërkohë që ngarkohet Këshilli i Ministrave të krijojë “Muzeun kombëtar të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”. Gjithashtu pritet që të nxirret dhe një akt nënligjor për ngritjen e “Obeliskut të viktimave të krimeve të komunizmit. Të gjitha aktet nënligjore të nevojshme duhet të hartohen brenda një muaji nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Po me propozimin e Kryeministrit pritet që në Kuvend të miratohet dhe projektligji “Për krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe të Pasojave të Komunizmit në Shqipëri”, institut ky që do të gëzojë statusin e personit juridik e do të jetë institucion i pavarur. Ai do të ketë për detyrë të studiojë dhe vlerësojë periudhën e komunizmit, të identifikojë bazën ligjore mbi të cilat ka funksionuar ky sistem, analizojë shkaqet dhe rrugët e vendosjes së këtij regjimi, por dhe të grumbullojë të dhëna e dokumente për të zbuluar veprimtarinë e strukturave të Sigurimit të Shtetit.
Ky lajm është publikuar: 12/02/2010