E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: “Brukseli ju vëzhgon”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan, informon politikën shqiptare se është e vëzhguar gjithë kohës, prandaj dhe hapat e saj drejt integrimit do të varen nga sjellja e saj. Komentet e tij u bënë dje nga Universiteti i Vlorës ku dha një leksion në lidhje me politikat evropiane për zgjerimin. Ai pohoi për mediat se tryeza e thirrur nga presidenti Bamir Topi është mirëpritur në Bruksel. “Personi që në Komisionin Evropian merret me zgjerimin, komisioneri Shtefan Fyler, po e ndjek nga afër situatën në Shqipëri. Ai ka mirëpritur tryezën e thirrur nga presidenti Bamir Topi, gjithashtu edhe dëshirën e të dyja palëve, kryeministrit Berisha dhe shefit të opozitës, Rama, për të marrë në konsideratë në mënyrë të përbashkët gjetjen e një zgjidhjeje për situatën. Sepse janë pikërisht udhëheqësit politikë të Shqipërisë që duhet të gjejnë një zgjidhje dhe do ta bëjnë këtë, pa dyshim, duke pasur parasysh të ardhmen evropiane të Shqipërisë si dhe interesat e vendit”,- u shpreh Lohan. Lohan i është përgjigjur edhe pyetjes se sa ndikon ne procesin e integrimit konflikti politik. “Ajo që shikojmë ne është se sa përpjekje të shpejta do të bëhen nga Shqipëria për të zgjidhur këtë krizë, por mbi të gjitha për të zgjidhur problemin e një parlamenti jofunksional, për shkak se gjysma e tij nuk merr pjesë, si dhe për të shikuar se çfarë impakti do të ketë kjo në përgatitjen e opinionit të Komisionit Evropian për Shqipërinë”, - tha Lohan. Të mërkurën ishin Shtetet e Bashkuara si dhe OSBE që mbështetën iniciativën e Presidentit për të thirrur këtë tryezë dhe u bënë thirrje palëve që të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje.

Ky lajm është publikuar: 12/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›