Stavri Marko: “Hapja e kutive do të shtonte problemet”
Autori i Lajmit: S. TopiStavri Marko, analist: “Hapja e kutive do të shtonte problemet”
Ndërkombëtarët vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Zëvendëspresidenti i PE-së, Rouçek, gjatë një takimi të zhvilluar me zotin Rama dha si alternativë të mundshme zgjidhjeje dhe hapjen e pjesshme të kutive. Si e shikoni këtë variant?
Çfarë nënkuptohet me variant Nr. 1, 2, 3…? Pazare? Për çfarë për të kthyer shtetin në rrugën e zotit??? Më duket se nuk jemi kuptuar saktë, aq sa media tërësisht e gjunjëzuar nga politika e mbrapshtë dhe e pazareve të pista, po shpik variante në kurriz të funksionimit demokratik të shtetit. Çështja është: Ende nuk e kanë kuptuar shqiptarët se rruga që kemi ndjekur po na çon në greminë? Në krizë politike, që thotë Brukseli, është përfshirë gjithë shteti, me strukturat dhe institucionet, majtas, djathtas, lart, poshtë. Duhet të flasim për kompromis politik me përmasa historike, kjo është arsyeja të kuptohet qartë dhe jo variante. Vendi është në prag katastrofe, nuk funksionon demokracia dhe kompromis forcat politike kanë bërë në periudhën më të vështirë, më 1991 dhe 1997. Për mua, kjo do të thotë se për të tretën herë ka ardhur koha që këtë radhë kompromisi do të jetë i vështirë, me dështime dhe sfida të mëdha.
Një tjetër mundësi që duket se mund të gjejë dhe mbështetjen e demokratëve është hapja e kutive, por hetimi vetëm i materialeve zgjedhore dhe jo i fletëve të votimit. Mund të jetë kjo zgjidhje?
Për mua edhe të hapen kutitë, prapë probleme do të krijohen pas. Nuk mund të vazhdojë punimet një Parlament me vota të dyshimta ose të manipuluara, qoftë edhe sikur të pranohet një zgjidhje e pjesshme, siç po propozohet, dhe ky është gabimi që Evropa ka mbyllur një sy qëkur “Dushku” u bë institucion i hapur grabitës votash. Kjo është si ajo “mballoma që i qepet pantallonit nga pas për të mbuluar prapanicën”. Unë u qëndroj mendimeve të përfaqësuesit të NATO-s, i cili u shpreh që ditën e parë pas zgjedhjeve: “Shqipëria nuk ka standarde zgjedhjesh”. Por ende NATO nuk është bërë pjesë e krizës politike në vend, pasi Aleanca perëndimore ushtarake më demokratike në botë, ka ngelur e zhgënjyer me përmasat e zhvillimit të krizës në Shqipëri. Politikanëve tanë, së pari, tu vijë turp që NATO ka mbyllur njërin sy, të cilët nuk meritojnë favoret që i janë bërë Shqipërisë për tu aderuar. Mendoj se NATO do të reagojë kur “ti vijë koha më e përshtatshme e saj”.
Zgjedhjet e parakohshme mund të shihen si alternativa e mundshme e fundit të tryezës së thirrur nga Presidenti Topi?
Nuk ka asnjë dyshim që do të ketë zgjedhje të parakohshme, por kur dhe si do të vijnë dhe në çfarë rruge, e butë apo e ashpër, është për tu parë. Nuk shikoj alternativë kompromisi mes dy lidershipëve. Por nga ana tjetër, tensionet mund të rriten pa rrugëdalje për momentin. Kemi një President që i vihet në dyshim integriteti, në rast se bisedimet dështojnë. Kemi një Parlament që do të qëndrojë për x kohë i cunguar. Por kemi edhe një interesim të SHBA, OSBE dhe BE që të ruhet stabiliteti i vendit, dhe që duhet ta themi më kryesoren që nuk është përmendur fare se “votimi i Parlamentit shqiptar më së fundi për të pranuar trupat e NATO dhe të Bashkimit Evropian për tu instaluar në Shqipëri me leje të qeverisë shqiptare, shpreh diçka më tepër. Koha do të tregojë se kemi politikanë të përgjegjshëm apo karrieristë për të çuar vendin drejt aspiratave apo katastrofave që zakonisht riciklojnë veten çdo dhjetë vjet.
Ky lajm është publikuar: 12/02/2010