E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia, kali i betejës së PD-së për reformat

Integrimi i vendit në Bashkimin Europian dhe reformat në drejtësi janë dy qëllimet potenciale të qeverisë "Berisha" në mandatin e dytë. Megjithëse çështja e liberalizimit të vizave është një çështje komplekse e qeverisë, koston dhe shpërblimin do ta paguajë dhe marrë Lëvizja Socialiste për Integrim. Demokratëve i ngelet si kalë i vetëm beteje, lufta për reformën në drejtësi. Për këtë, Kryeministrit Berisha i duhet të zgjedhë një figurë të kompletuar për të drejtuar Ministrinë e Drejtësisë. Demokratët, prej kohësh janë në ‘luftë‘ me drejtësinë. Me ardhjen në pushtet në 2005-ën, dy ministrat demokratë në krye të Dikasterit të Drejtësisë, Aldo Bumçi dhe Ilir Rusmali hynë në konflikt të hapur me Kryeprokurorin Theodhori Sollaku, i cili mori fund pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Megjithëse demokratët e zgjodhën vetë Kryeprokurorin e ri, dhe Kryeministri Berisha e cilësoi Ina Ramën si Silvia Konti, zhgënjimi në kampin blu erdhi shumë shpejt. Në krye të Ministrisë së Drejtësisë, deri tani në spektrin e djathtë janë lakuar dy emra, të cilët për rastësi janë ish-anëtarë të KOP-it. Një prej tyre është Lulzim Basha, i cili u spostua nga posti i ministrit të Jashtëm vetëm për shkak të hyrjes së LSI në qeveri. Detyra në krye të drejtësisë për Bashën duket se do të jetë interesante për faktin se Prokuroria e Përgjithshme, gjatë mandatit të parë, kërkoi edhe lënien e imunitetit për ish-ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Një tjetër emër për të zëvendësuar Enkelejd Alibeajn në Ministrinë e Drejtësisë është Aldo Bumçi, i cili dy muaj përpara zgjedhjeve të 28 qershorit mori mbështetjen maksimale të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, për të qenë kryetari i PD-së për degën e Tiranës. Edhe për Bumçin, detyra e ardhshme pritet të jetë interesante për shkak se për të karrigia e ministrit të Drejtësisë nuk është diçka e paprovuar më parë.

Pasi të stabilizohet situata aktuale politike, pas konturimit të qeverisë dhe betimit të deputetëve në Kuvend, për qeverinë e re pritet të nisë një epokë e re. Berisha, pasi ka lënë në dorë të LSI-së tre ministri të rëndësishme si ajo e Jashtme, e Ekonomisë dhe e Shëndetësisë, pjesa më e madhe e sektorëve që kanë ngelur për demokratët janë funksionale por jo aq shumë përcaktuese në vendimmarrjet politike të PD-së. E.Ajazi

Marrëveshja PD-LSI

Kabineti i ri është pagëzuar me emrin "Qeveria e Integrimit Europian". Përpos tre ministrive, LSI do të ulë në krah të Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, deputetin Nasip Naço i cili do të mbajë edhe postin e nënkryetarit të Kuvendit. LSI do të përfaqësohet në masën 20% në të gjitha nivelet e pushtetit, nivelet drejtuese dhe administrative dhe hallkave të tjera të pushtetit në nivel qendror dhe atij vendor. Duke iu referuar marrëveshjes politike, PD dhe LSI kanë rënë dakord që për krijimin e kohezionit të qëndrimeve politike të rëndësishme të qeverisë dhe Parlamentit të realizohet konsultimi dhe koordinimi i këtyre qëndrimeve midis kryetarëve të partive apo personave të caktuar prej tyre. Në marrëveshjen PD-LSI citohet se "konsensusi është i nevojshëm për emërimet në institucionet kushtetuese apo institucione të tjera që varen nga Parlamenti. Berisha dhe Meta nënshkruan publikisht të hyjnë së bashku në zgjedhjet lokale të vitit 2011, por kanë të përcaktuar në kontratën e djeshme që të ketë edhe një tjetër marrëveshje të dytë. "Koalicioni do të realizojë zgjedhjen e Presidentit të Republikës mbi bazën e konsensusit PD-LSI", thuhet në kontratën bashkëqeverisëse të Berishës dhe Metës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›