E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Stimuj nxitës për mbjelljen e ullirit

Kryeministri Sali Berisha kërkon nxitjen e kultivimit të kulturës së ullirit përgjatë zonës bregdetare përmes hartimit me shpejtësi të një programi i cili do të mundësojë mbjelljen e 20 milionë fidanëve ullinj. Sipas Berishës, kultura e ullirit është një nga trashëgimitë më të çmuara që gjeneratat e shkuara kanë lënë, me rreth 5 milionë rrënjë në të gjithë vendin. Duke e cilësuar si floriri i mbitokës, Kryeministri vuri në dukje se "është në detyrimin e brezave që të mendojnë për ta shumëfishuar këtë trashëgimi në kohën më të shkurtër të mundshme". Kryeministri informoi se "kultura e ullirit shtrihet në një zonë shumë të gjerë në Shqipëri, nga Ksamili deri në Shkodër, me varietetet nga më të mrekullueshmet dhe prodhimin e cilësisë më të lartë të vajit".

"Askush nuk mund të ofrojë vajra të cilësisë më të lartë siç ofrojnë zonat e ullirit në Shqipëri dhe askund nuk gjen ullinj më të shijshëm. Pra, të gjitha këto kërkojnë që ne të marrim vendimin që nga 5 milionë të arrijmë në 25 milionë rrënjë", - tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, "në Shqipëri ka shumë sipërfaqe toke djerrë të cilat mund të shfrytëzohen edhe pse në vendet fqinjë, si Itali dhe Greqi kjo kulturë mbillet në sipërfaqet më pjellore të tokës". "Ne kemi djerrina, shpate mali dhe kodrash, në të cilat mund të mbillen plantacionet më të mëdha të ullirit", - tha Kryeministri. Duke kërkuar përgatitjen e të gjithë stimujve nxitës për mbjelljen e fidanëve, Kryeministri u shpreh se "puna duhet të nisë me identifikimin e të gjitha territoreve që janë të disponueshme, kontaktimin e instituteve private apo publike për fidanët, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me institutet e vendeve fqinje të Italisë dhe Greqisë". Gjithashtu, sipas tij "Qendra e Kërkimeve Shkencore duhet ta konsiderojë këtë si një nga drejtimet më kryesore të saj". Kryeministri vlerësoi se "vetëm vendosja e bashkëpunimit me të gjitha vendet mund të ndihmojë në këtë iniciativë". "Kjo nismë kërkon projektin dhe pastaj mobilizimin e fondeve. Atyre, të cilët duan të krijojnë plantacione, t’u ofrohet sipërfaqja me 1 euro. Ne kemi filluar me këtë praktikë pozitive dhe 2 mijë hektarët e parë janë dhënë, por ju siguroj se janë ende disponibël edhe 150 mijë hektarë të tjerë djerrina në Shqipëri, nga Shkodra deri në Ksamil", - tha Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›