E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria ngre agjenci kombëtare për energjinë atomike



Qeveria krijon agjencinë e re kombëtare për energjinë atomike. Këshilli i Ministrave miratoi dje krijimin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, me propozim të ministrit të Ekonomisë. Kjo agjenci, sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, drejton dhe bashkërendon punën me strukturën e specializuar të Kombeve të Bashkuara, Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), gjithashtu dhe ndërmjet strukturave shtetërore, institucioneve të specializuara, vendase dhe të huaja, universiteteve dhe qendrave kërkimore-shkencore, vendase dhe të huaja, sektorit privat, organizatave jofitimprurëse, grupeve të interesit etj. Kjo, për të krijuar infrastrukturën kombëtare të nevojshme (përfshirë kuadrin e nevojshëm ligjor dhe rregullator, strukturat e specializuara të domosdoshme etj.), për vënien në jetë dhe në funksion të programit të energjisë bërthamore në Shqipëri. Vendimi i qeverisë mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”. Në këtë mënyrë, qeveria ka nisur hartimin e kuadrit ligjor për ndërtimin e centralit bërthamor në Shqipëri. Pak javë më parë është miratuar një projektvendim i propozuar nga ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, lidhur me miratimin e rregullave dhe procedurave të vlerësimit të veprimtarive e të projekteve me ndikime të rëndësishme negative në mjedisin e vendeve fqinje. Përveç centraleve nukleare, ky vendim prek edhe digat e lumenjve që prekin dy vende.

Sipas draftit të qeverisë, brenda pesë ditëve nga depozitimi i kërkesës për zbatimin e një projekti në një zonë ndërkufitare, Agjencia Rajonale e Mjedisit vlerëson dhe vendos nëse projekti ka ndikime negative në mjediset e vendeve fqinje dhe nëse do t’i nënshtrohet përgatitjes së raportit të thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Pas këtij hapi, agjencia njofton propozuesin për rezultatin e vlerësimit, si dhe i përcjell ministrisë së fushës dosjen, të shoqëruar me vlerësimin e saj. Pas njoftimit të agjencisë, ministria, nëse është dakord me vendimin, njofton institucionin kompetent, njësinë vendore ku do të zbatohet projekti, si dhe pjesën shqiptare të komisioneve të përbashkëta, të cilat janë ngritur për çështjet kufitare dhe i kërkon të angazhohen për procesin e vlerësimit. “Brenda 10 ditëve nga njoftimi i ARM-së, ministria njofton palën e prekur për projektin që do të zbatohet se meqenëse parashikohet të ketë ndikime të rëndësishme negative ndërkufitare, duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, në kontekst ndërkufitar”, - thuhet në pikën B2 të projektvendimit. Një central atomik funksionon në një mënyrë të tillë, që nxehtësia e zhvilluar nga reaksioni me fision në brendësi të reaktorit, transferohet nëpërmjet një dytermiku të rrjedhshëm me një fluks uji që nxjerr avull të nxehtë. Avulli vë në punë një turbinë, e cila kontakton me një gjenerator që prodhon rrymën, e cila më pas sjell energjinë elektrike. Deri në muajin gusht të vitit të kaluar kishte 439 centrale nukleare në gjendje pune, të cilat janë të shpërndara në 31 shtete të ndryshme të botës. Këto centrale aktualisht prodhojnë 17 për qind të energjisë elektrike në botë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›