E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Strategji të veçanta për të shmangur tentativat për azil, pas heqjes së vizave

Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për liberalizimin e vizave, se duhet ndalur me çdo kusht çdo tentativë për azil politik në vendet e bllokut evropian. Deklarata e kreut të qeverisë vjen në një kohë kur Brukseli ka kritikuar standardin negativ të vendeve ish jugosllave, të cilat pas hyrjes në Schengen liberalizuan kërkesat e qytetarëve të tyre për azil politik në Bashkimin Evropian. Berisha tha se duhet të plotësohen me rigorozitet të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, duke kërkuar strategji të vecanta ndaj tentativave për azil të shqiptarëve. “Në një kohë që Shqiperia pret një pergjigje pozitive për procesin e liberalizimit të vizave, qeveria shqiptare i druhet ikjeve masive të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së, ashtu sikurse ndodhi në Maqedoni e Serbi. Ndaj sot në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për vizat, do theksojmë disa pika ku ministritë duhet të kenë parasysh, siç është kërkesa e mundshme për azil politik që mund të shfrytëzohet gjerësisht nga shqiptarët”- u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se kërkesa për azil politik pas vizave është plotësisht e gabuar, ndaj ka bërë apel që qytetarët të tregohen të kujdesshëm në këtë drejtim. “Një çështje themelore që duhet të marrë përgjigjen më të mirë nga ne është problemi i të rikthyerve. Kjo çështje duhet ta pranojmë ka një specifikë shqiptare. Qytetarë shqiptarë nga Maqedonia dhe Serbia kërkuan azil politik, gjë që ishte e gabuar”, u shpreh Berisha, duke kërkuar nga autoritetet që të bëhen studime serioze në këtë drejtim. Më tej, ai u shpreh se qeveria do të japë fonde të veçanta dhe nëse do të jetë e nevojshme dhe nëse do të ketë probleme, këto fonde do të shtohen. “Ramë dakord që Ministria e Brendshme dhe ajo e çështjeve Sociale të ngrenë agjenci të përbashkët dhe kjo është arsyeja që e thirrëm këtë mbledhje. Problemi i dytë është lëvrimi nga Ministria e Financave të të gjitha fondeve të miratuara nga qeveria për Ministrinë e Brendshme. Kështu që kjo do të ndodh deri nesër”, deklaroi gjithashtu kryeministri. Berisha ka kërkuar sensibilizimin e qytetarëve shqiptarë se çfarë do të thotë liberalizim i vizave dhe mbi të drejtat që mund të kenë ata për të udhëtuar në zonën Shengen. Për këtë, ai tha se një rrugë është gjetur duke përdorur spote televizive, për t’iu treguar qytetarëve se nuk mund të qëndrojnë në vendet e Bashkimit Europain më shumë se 90 ditë. Në muajin korrik pritet të vijnë në Tiranë inspekorët e Komisionit Evropian për të parë në vend plotësimin e tre kërkesave shtesë të lëna nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, strategjia për riintegrimin e të kthyerëve, zbatimi i ligjit të luftës kundër korrupsionit dhe zbatimi i ligjit antitrafik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›