E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbysja e paragjykimit

Rreth agresivitetit politik të Serbisë dhe mbrojtjes së arsyetuar të Kosovës janë përvijuar dendësisht disa lëvizje: siç është bërë e ditur, aty nga 22 korriku, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në Hagë, do të njoftojë vendimin e saj, mbi kërkesën e Beogradit kundër Kosovës; zëra të besueshëm kanë shfaqur pikëpamjen se vendimi do të jetë diçka e përzjerë; ministri i jashtëm i Serbisë, Jeremiç u bie kryq e tërthorë kontinenteve për të penguar njohjen e mëtejshme; Prishtina, me përpjekjet e saj modeste diplomatike, arsyeton domosdoshmërinë e njohjeve më të shpejta pas vendimit të Gjykatës; Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ish-presidentin Bill Klinton po lobojnë më fort dhe, Jeremiç tha me dëshpërim, në Lima të Perusë se, shtete të fuqishme po bëjnë trysni, por Serbia nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës.
Gjithë rruga që Kosova përshkoi, deri në këtë cak të jashtëzakonshëm, përbën përmbysjen e madhe të paragjykimeve rreth saj dhe vërtetimin se duhej pasur frikë nga Serbia e jo nga shqiptarët. Dihet që, çdo personalitet i lartë, kur shkoi në Kosovë, mënjëherë pas luftës dhe shumë më vonë, në emër të shtetit të vet tha, thuajse të njëjtën këshillë, shqiptoi të njëjtën thirrje, përmendi të njëjtat pasoja, nga frika se shqiptarët do të hakmerreshin ndaj serbëve, se ato të zeza që serbët ua bënë atyre me urrejtje, ata do t’ua kthenin poashtu, në mos më keq. Ata druanin asisoj sa, shpagimi mund të ndodhte disa fish më tepër: do të ishte kolektiv e vetjak, fshatçe e fqinjësorë, kundër njerëzve e mbi mall e gjë, për prapësitë e vona e të hershme të serbëve, sepse Serbia provoi për një Kosovë të pastruar - dhe gati e bënë, shqiptarëve u erdhi rasti, pse të mos kishin një atdhe edhe pa kolonë.
Ky parashikim kishte shkak, dhe shkaku qe politika fikse e Beogradit. Ky paragjykim ishte gjykim mbi kumtet e historisë. Kjo frikë nuk qe e pavetëdijshme, sepse vinte nga ndalimi i luftës çnjerëzore me një luftë humane. Prej kësaj droje vuanin aleatët perëndimorë. Qenë kapluar prej saj kundërshtarët e çlirimit. Por edhe shqiptarë, në të dy anët e kufirit, besonin se zgjidhja më e mirë do të ishte që, Kosova e lirë të mos kishe më punë me Serbinë. Serbët e frynë këtë për ta tjetërsuar të vërtetën, siç serbët e përfshirë në krim ia mbathën, dhe akuzuan NATO-s dhe shqiptarët për politikë spastrimi. Për ta rrëzuar këtë parashikim, u shqiptuan edhe thirrje me zemër në dorë, kulmi i të cilave qe ajo e Presidentit Klinton, në Ferizaj: mos harroni, por mos u hakmerrni.
Politika dhe forca ecin bashkë, si sot e kësaj dite, si gjatë historisë së njerëzimit. Mijëra ushtarë dhe mjete luftarake moderne u vendosën përreth vendbanimeve serbe. Një perde force u nder mes shqiptarëve të kthyer vendosmërisht te hiri i shtëpive të tyre dhe serbëve të mbetur aty, më shumë se sa vendas, si të papërfshirë në krim apo si një pakicë që nuk arriti të largohej. Kjo fuqi ushtarake u interpretua dy sojesh: të frikësuarit i arsyetonin ato si forca njerëzore dhe luftarake për t’i mbrojtur fshatrat me serbë të mbetur aty; shqiptarët arsyetonini se, ajo fuqi ushtarake u soll në Kosovë për ta mbrojtur tokën e çliruar nga ndonjë sulm i Serbisë së ndërkryer; të tjerë gjykonin se ajo force luftarake u vendos për të dyja, edhe mbrojtjen e enklavave serbe nga hakmarrja e shqiptarëve edhe mbrojtja e Kosovës nga një Serbi e cila nuk është pajtuar as me çlirimin dhe as me pavarësinë.
Parashikimet u përmbysën deri aq sa, bota është habitur. Shqiptarët e dëgjuan në mënyrën më shëmbullore porosinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe çmuan sakrificat e tyre të mëdha në shërbim të lirisë: ata mundën edhe të lëshojnë kumte pajtimi të ndërsjellë, por Serbia ende nuk ka belbëzuar pendesë a të shqiptojë fjalë ndjese. Përkundrazi, bota po sheh tjetërçka: është Serbia ajo që, pas luftës, po hakmerret ndaj Kosovës, për aktin e çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë. Hakmarrja e saj është e përditshme, e kudogjendur, fjalori politik vetëm kryeneç, kërcënues, shpërfillës, i vrazhdë madje dhe fyese, përfshirë ngritjen e pushtetit paralel, organizimin e zgjedhjeve në shtet tjetër, këmbëngulje për t’i rikthyer problemet në fillim, me tezën e bisedimeve për përcaktimin e statusit mbi bazën e një kompromisi. Madje edhe kundër BE duke përsëritur që, mes dy zgjedhjeve, Bashkimit Europian apo Kosovës, zgjedhin Kosovën. Bashkimi Europian beson te pajtimi, siç përjeton pajtimin e madh brenda tij dhe punon për pajtimin në gadishullin e Ballkanit, pas zgjidhjeve të përmbyllura me shkatërrimin e ish- Jugosllavisë. Shqiptarët - edhe pse viktimë - nuk ndërmorrën kurrfarë shpagimi, përkundrazi kumtet e tyre për pajtim janë të pazakonta, por Serbia as ua vë veshin nga që shpalljen e pavarësisë e llogarit si ndëshkim ndërkombëtar të padrejtë. Shqiptarët dhanë prova të besueshme dhe politika paqësore e tyre është e qëndrueshme, prandaj bota perëndimore duhet të shtojë trysninë mbi Serbisë, pasi u vërtetua se ajo mbetet hakëmarrëse, kërcënuese, bllokuese dhe destabilizuese. Nëse shqiptarëve iu tha që në fillim se po të hakmerreshin do të kishin pasoja, Serbia i shkakton Kosovës pasoja të rënda brenda shtetit fqinj sovran dhe Beogradi durohet, nuk i bëhen trysni dhe nuk i thuhen pasojat. Njerëzit nuk arrijnë të besojnë se si katër struktura emërmëdha, UNMIK+EULEX+KFOR+Qeveria e Kosovës nuk qënkan në gjendje ta mbajnë veprimtarinë e Beogradit përtej kufijve të shtetit të pavarur e t’ia bëjnë me dije njëherë e mirë se filmi ka mbartuar: Kosova është e çliruar, është shtet më vete, e njohur botërisht, dhe nuk mund të lejohet të zgjasë duart trazuese në qeverisjen vendore të shtetit fqinj, qoftë edhe përmes një pakice që e keqpërdor si mercenare të politikës së vet.
Strategjia e Beogradit është që, siç Kosova u vendos dikur përballë Serbisë për të qenë e lirë, pakicën serbe ajo ia kundërvë shtetit të Kosovës për të mbajtur praninë e saj aty. Ata po luajnë me durimin e shoqërisë shqiptare dhe hutimin e pakicës serbe. Shqiptarët u vërtetuan të mos jenë hakmarrës. Serbia u vërtetua se e meritoi luftën për të mos qënë më pushtuese. Njëmbëdhjetë vite janë aq shumë kohë në përparimin e Kosovës sa, sidomos Bashkimi Europian, pavarësisht 5 shteteve - Greqisë, Rumanisë, Bosnjë - Hercegovinës, Spanjës dhe Sllovakisë, duhet t’i thotë Serbisë prerë: Kthimi i saj në shtëpinë e vet ka ndodhur përgjithmonë. Nëse ajo vijon të sillet si deri tani, duhen ndërmarrë veprime. Një Serbi trazuese, mund ta përmendin vetë pasojat. Koha e luftës kundër Serbisë përfundoi më 1999, kurse koha e përkëdheljeve duhet të përfundojë tani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›