Lufta e shqiptarëve të Kosovës kundër sllavo-bolshevikëve dhe masakra e Tivarit
Kam lexuar në rininë e hershme një autor të huaj, se me të vertetë kombi është si degët e një lisi që kur i pritet një degë, dhimbja trasmetohet në të gjithë trungun. Masakra e Tivarit është njolla më e zezë e bashkëpunimit në emër të internacionalizmit proletar, ndërmjet sllavo-bolshevizmit titist dhe Enver Hoxhës, për t’ia nënështruar Kosovën dhe viset e tjera të Shqipërisë etnike agresorit serb. Masakra e Tivarit ishte një hakmarrje barbare sllavo-komuniste kundër të gjitha familjeve nacionaliste dhe të traditës patriotike kosovare dhe viseve të tjera shqiptare, që kishin kundërshtuar me luftë të armatosur agresorin sllav dhe instalimin e regjimit komunist. Kjo maskër korri pa mëshirë ajkën e djalërisë kosovare, të gjithë antikomunistë dhe patriotë të vendosur për bashkimin e kombit. Prandaj mundet të themi në dritën e fakteve historike se kjo masakër është e lidhur me luftën e armatosur të popullit të Kosovës dhe viseve të tjera të Maqedonisë e Malit të Zi kundër agresorit sllav. Nuk ka asnjë mundësi që krimineli Ramiz Alia, i cili në atë kohë drejtonte si komisar politik koorparmatën e parë partizane shqiptare në operacionet ushtarake për t’ia dorëzuar Kosovën regjimit komunist serb, të mos ishte në dijeni dhe të miratonte planin serb për asgjësimin e kundërshtarëve të këtij regjimi në Masakrën e Tivarit. Edhe patericat nga Kosova nuk mundet ta ndihmojnë Ramiz Alinë. Përgjigjen e ka dhënë vetë populli i Kosovës që në panairin e librit në Prishtinë e grisi librin e Ramiz Alisë. Edhe pinjollët e regjimit komunist në Partinë Socialiste, me në krye Edi Ramën, janë mjaft të alarmuar. Hetimi Parlamentar duhet të përfshijë të gjithë periudhën e intervenimit të forcave partizane shqiptare kundër popullit të Kosovës, si gjenocid dhe tradhti kombëtare. Dhe faktet janë shumë kokëforta dhe akuzojnë etërit e tyre. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, në shtator 1943 e në vazhdim, Shtabi Suprem i UNçL të Jugosllavisë ishte mjaft i interesuar që të shtonte formacionet ushtarake në Kosovë dhe në të gjitha viset e tjera të Shqipërisë etnike. Për këtë qëllim, brigadat serbo-malazeze, menjëherë filluan operacionet ushtarake për pushtimin në ballë të gjerë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare për t’i pushtuar. Në Shqipëri komunistët nën drejtimin e emisarëve serbë, Dushan Mugoshës e Miladin Popoviçit, si dhe shërbëtorit të tyre besnik Enver Hoxha, kishin sabotuar mbledhjen e Mukjes, kishin shpallur luftën civile dhe bashkëpunimin me komunistët serbë, me qëllim vendosjen e diktaturës komuniste. Në përgjigje të këtij agresioni, elita intelektuale, patriotët e Kosovës dhe të viseve të tjera, duke e ndjerë rrezikun e madh të pushtimit, u mblodhën në Prizren me 16 Shtator 1943. Me pjesëmarrjen e delegatëve që përfaqësonin Kosovën dhe viset e tjera të mbetura jashtë shtetit amë nga vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës në vitin 1913, në mbledhjën që zgjati deri me 21 Shtator, formuan “Lidhjen e dytë të Prizrenit”. Vendimet që u morën ishin në sinkron të plotë me vendimet e “Lidhjes së Prizrenit”të vitit 1878, “luftë për jetë a për vdekje kundër agresorit sllav dhe mbrojtjen e Shqipërisë etnike”. Lidhja e dytë e Prizrenit ka udhëhequr formacione të organizuara ushtarake të popullit të Kosovës dhe viseve të tjera, në një luftë për jetë a për vdekje kundër agresorit serb. Në librin e tij, “Lidhja e dytë e Prizrenit dhe lufta e popullit për mbrojtjen e Kosovës”, nga Tahir Zajmi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes, botuar në Bruksel në vitin 1964, është një dëshmi e gjallë e masakrave komuniste kundër popullit për ta mposhtur dhe gjunjëzuar. Në këtë kohë populli i Kosovës i gjallë nuk po u dorëzohej sllavo-komunistëve të Beogradit. Po ata thirrën në ndihmë tradhtinë e Enver Hoxhës dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Ushtria e Ldhjes do të organizohej në baza vullnetare dhe do të stërvitej e komandohej nga oficerët e ushtrisë dhe xhandarmërisë shqiptare. Operacionet ushtarake do të komandoheshin nga kolonel Fuat Dibra dhe oficerë të tjerë që kishin mbaruar akademitë ushtarake në Europë. Shumica e këtyre oficerve më vonë u vranë në ballin e luftës për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë etnike, kundër formacioneve ushtarake serbo-malazeze e bullgare, të tjerë u pushkatuan nga brigadat partizane shqiptare të Enver Hoxhës. Ja disa prej tyre: kolonel Fuat Dibra, kapiten Hajdar Planeja, nënkolonel Sidki Shkupi, kolonel Asllan Vela, kapiten Rasim Dajçi, kapiten Gjon Destanishta, toger Musli Dobruna, nënkolonel Qazim Gostivari, aspirant Reshit Kaqniku etj. Vija e mbrojtjes e Lidhjes zgjatej që prej Karadakut të Gjilanit, në kufijtë e Mitrovicës, Pazari i Ri, deri në Tutinë e Rozhajë. Sulmet e brigadave serbo-malazeze u përqendruan në kufijtë veriorë të Kosovës në drejtim të Pazarit të Ri por që u ndeshën me forcat e Lidhjes të komanduara nga Aqif Blluta dhe Uk Sadik Gjergjeviku. Armiku ka pësuar disfatë të plotë duke u tërhequr në panik, lënë në fushën e betejës qindra të vrarë dhe sasi të madhe mataeriali ushtarak.Sa më shum kohë ka kaluar fuqia ushtarake sllave bëhëj më e egër,duke bashkpunuar me avancimin e ushtrisë ruse drejt Europës. Në vjeshtën e vitit 1944, tre divizione bullgare të armatosura me artileri dhe tanke sulmuan Kosovën në drejtim të Podujevës. Grykat e Podujevës u kthyen në arenë luftimesh të përgjakshme, të shqiptarëve që mbronin Atdheun e tyre dhe agresorëve sllavë, të cilët u shkatërruan plotësisht. Edhe në anën e ushtrisë shqiptare të Lidhjes humbjet kanë qenë mjaft të rënda. Batalioni “Hasan Prishtina” i Vuçiternit, i përbërë nga 300 luftëtarë kanë rënë në fushën e betejës pa mbetur as edhe një i gjallë. Gazeta “l’Albania libere”, që botohej në atë kohë në Romë, i kushtoi një himn kësaj lufte, duke i quajtur Grykat e Podujevës, “Termopilet e Kosovës”. Të gjitha këto përpjekje të shqiptarëve nuk do të kishin qenë të pafata, sikur faktorët ndërkombëtarë të mos ishin përcaktuese. Radio BBC e Londrës me 27 Shtator 1944 transmetonte se “shqiptarët po luftojnë trimërisht në mbrojtje të kufinjve të tyre etnikë, kundër ushtrive serbo-malazeze dhe bullgare”. Me 14 Gusht 1944, me kërkesën e shtabit të përgjithshëm të U.N.çL. të Jugosllavisë, aviacioni rus bombardoi Pejën, ku u vranë 1970 qytetarë, burra, gra, pleq e fëmijë dhe mijëra të tjerë u plagosën. Kundër pushtimit serb është bërë rezistencë e armatosur në të gjitha anët e Kosovës dhe viset e tjera, si në Pejë, Preshevë, Rahovec, Gjakovë, Ferizaj, Janjevë, Tetovë, Gjilan, Vuçiternë etj. Brigadat jugosllave në Kosovë po pësonin humbje të rënda. Në të katër anët, populli ishte ngritur në këmbë dhe gjallë nuk po pranonte pushtimin e Beogradit. Në këtë kohë, në fillim të Tetorit 1944, në Kosovë do të futen Brigada e III dhe e V e Korparmatës së U.N.çL.të Shqipërisë të komanduara nga Ramiz Alia, Shefqet Peçi, Haxhi Lleshi, Et’hem Gjinushi dhe kriminelë të tjerë komunist. Me 17 Tetorë 1944 edhe armata e II bullgare u nis për në Kosovë, ndërkohë që në Kosovë dhe në viset e tjera etnike shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, vepronin me ofensivë njësitet e korpusit të 13 të U.N.çL. të Jugosllavisë me divizionet 22, 24, 25 dhe 46 serbe, divizioni 41 maqedonas, brigada e 9 malazeze. Operacionet ushtarake të këtyre forcave, sipas një plani ushtarak të detajuar bënë mësymjen për pushtimin e Kosovës dhe viseve të tjera në tri drejtime kryesore: 1.Kurshumli-Perpallac-Podujevë-Prishtinë; 2.Leban-Medvegjë-Prishtinë dhe Bujanovc-Gjilan-Prishtinë. Gjatë këtyre operacioneve, në përbërje të të cilave ishin edhe brigadat partizane shqiptare, u kryen krimet më të shëmtuara në historinë e njerëzimit. Gjatë kësaj periudhe janë vrarë e masakruar dhjetëra mijë shqiptarë. Vetëm ne Drenicë u bënë shkrumb e hi 44 fshatra. Në një letër që Miladin Popoviçi u shkruan komisarëve politikë të këtyre brigadave ndërmjet tyre ishte edhe Ramiz Alia shkruan në emër të PKJ: “Edhe pse Kosovë-Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovenizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshmë për spastrimin e Kosovë-Metohisë nga këto banda. Bandat duhen likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë”. Për të hedhur poshtë propogandën komuniste se brigadat partizane kan hyrë në Kosovë për të luftuar kundër forcave hitleriane dhe çliruar Kosovën, ka fakte.
Por sikur të mos mjaftonin këto masakra, pushtuesit serbë nuk e kishin harruar rezistencën e popullit të Kosovës kundër regjimit komunist. Në Mars-Prill të vitit 1945, në të katër anët e Kosovës u grumbulluan në mënyrë mashtruese, për rekrutim ushtarak qindra e mijra nacionalist, luftëtarë të Lidhjes së dytë të Prizrenit dhe të Shaban Polluzhës, dhe të shoqëruar nga njësi speciale të armatosura jugosllave, marshuan në itinerarin Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër. Pasi kaluan kufirin, u vendosën në Tivar. Në bregdet, përballë maleve, ishte përgatitur masakra më e përgjakshme kundër ajkës së djalërisë kosovare. Numri i saktë i atyre qindra e mijërave që u grinë nga mitralozët e ushtrisë serbo-malazeze akoma nuk dihet. Por me dëshmitarë të gjallë që kam patur rastin të bisedoj, që kan mbijetuar mundet që numri i të pushkatuarve të jetë me mijëra. Sipas dekumenteve arkivore në këtë kohë janë rekrutuar për në ushtrinë jugosllave gjithsej 44.523 shqiptarë. Faktet janë se shumica e tyre nuk janë kthyer të gjallë. Dhe Masakra e Tivarit mban peshën kryesore në numrin e të pushkatuarve.
Brigadat partizane shqiptare qëndruan në Kosovë deri kur rezistenca e popullit të Kosovës u shtyp dhe u vendos regjimi komunist serb.Partizanët shqiptarë u larguan nga Kosova me një urdhër të Titos, në një vendkalim të caktuar për në Shqipëri, në Ohër. Shqiptarët me kokën ulur dhe zemrën e thyer e lanë Kosovën e përgjakur në robërinë serbe. Ata kishin vrarë ëndrrën e tyre nga tradhtia e Enver Hoxhës dhe e bashkëpunëtorëve të tij.