Kamomili i diktaturës
Nuk ka “luftë klasash” me bio-letra, por shprehje të fjalës së lirë, si dhe dëshira për t’i informuar shqiptarët mbi rrezikun që i kanoset nga gjenerata e modifikuar gjenetikisht nga totalitarizmi mendor
Lexova me interes ditor intervistën e Dritëro Agollit: poetin e popullit dhe patriarkun e Partisë Socialiste, i cili lëshoi një koncentrat të pavërtetash në një të përditshme shqiptare. Padyshim të lexosh intervistën e Dritëroit është sikur të pish çaj mense, pa shije, pa sheqer, pa çaj. Bile ka një veti të çuditshme për të dalë në intervista alla-shqiptare, në krah të kryetarit socialist, Edi Rama sa herë ky “atakohet” (me të drejtë) për risjellen në kryesinë e lartë të PS-së gjeneratën e dytë të Bllokut. D. Agolli intervenimet e tij publike ndonjëherë i bën me terezi mahnitëse e herë tjetër duke ia futur “si kau pelës”, siç do t’i pëlqente atij folklorizma. Për të mbrojtja më e mirë e investimit në parti është sulmi i kundërshtarit në mënyrë indirekte po me ato teza, duke sulmuar Partinë Demokratike si e infektuar prej bllokmenëve.
Ndofta në këtë ditë plot vapë dhe boshe, Poeti i Menkulasit beson verbërisht se politika është poezi, por gabon duke mos e kuptuar se ajo është një prozopope. Gjithsesi Ai mbetet një komunist 24-karatësh, kokëshkëmb në ideale, por ka dinjitetin e moshës dhe të flokëve të thinjura që të paktën e thotë hapur se ku është, e jo si ca të tjerë, që e fshehin siç fshehin njerëzit organet gjenitale. Kuptohet vetiu se ai mistifikimin e historisë e bën pa të keq, deformim profesional prej rrëfimtari, prandaj edhe mund t’i falet. Sido që jetë, ftesa që bën për të harruar “jetëshkrimet” dhe "bëmat" e komunistëve, vjen nga pamundësia e tij për të harruar Partinë dhe Bllokun, jo pak të shtrenjtë për të! Nuk ka luftë klasash, por shprehje të fjalës së lirë.
Sot lidershipi i PS-së përbëhet nga bij të nomenklaturës së lartë moniste. Të gjithë këta kanë jetuar në Bllok ose afër tij, por kjo më shumë thuhet në mënyrë figurative për të dhënë mentalitetin e këtij lidershipi dhe lidhjet e tyre më të kaluarën. Problemi jonë është mentaliteti i tyre i ngushtë politik e ideor. Problemi është se këta çuna të Bllokut, kur u ka rënë rasti, kanë mbrojtur e janë ndjerë krenarë për të kaluarën politike të baballarëve të tyre. Në radhë është pikërisht Edi Rama, kryetari i Partisë Sos-ialiste, babai i të cilit, Kristaq Rama, ka qenë anëtar i Komitetit Qendror dhe anëtar i presidiumit të Kuvendit Popullor dhe për fat të keq, emri i tij është shënuar e zeza mbi të bardhë në vendimin për pushkatimin më makabër të diktaturës, pushkatimin e poetit kuksian Havzi Nela. Ai s’ka kërkuar akoma falje për atë firmë të të atit dhe s’ka kërkuar akoma falje për krimet e etërve të PS-së. Përkundrazi. Tendenca për apologji të sejmenëve të Ramës për t’iu kthyer së shkuarës së partisë në një qasje të re, atë të një partie që ka brenda vetes merita, për atë çfarë ndodhi në vitin ’90, filloi që në fushatën elektorale të qershorit. Por ai nuk i ka shpëtuar dot kontradiktës që mbart në vetvete kjo gjë, në një kohë kur ka në kupolën rozë e në krahun e tij të djathtë njerëz që i kanë shërbyer sistemit, e po ashtu ka marrë përdore në parti bijtë e nipërit e baballarëve të sistemit. Edhe pse ndofta jemi bërë bajat dhe kemi bombarduar lexuesin me lidhjet e tyre të nëndheshme me regjimin, prapëseprapë është e nevojshme njohja e tyre: Ilir Gjoni, i biri i Xhelil Gjonit, sekretar i parë i partisë në disa rrethe, që prej disa vitesh militon në PS, nuk është rastësi; Ditmir Bushati, i biri i Sulejman Bushatit, sekretarit të Komitetit të Partisë në Shkodër, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, nuk është koincidencë. Bushati duket se është një nga njerëzit më të afërt të Ramës dhe që është një këshillues i tij sidomos në çështjet ndërkombëtare, nuk është rastësi. Por nuk është aspak një ose dy koinçidenca, pasi një tjetër njeri i afërt i Ramës dhe deputete e re e PS-së, Ledi Shamku (Enkelejda Shkreli) është mbesa e Hamit Shamkut, anëtar i Komitetit Qendror, nuk është rastësi që gjuha shkon tek dhëmbi i syrit; Ilir Beqja, një tjetër deputet i ri në listën socialiste, është i biri i Hamit Beqjes, anëtar i Komitetit Qendror, nuk është rastësi që ishte edhe në fëmijëri shok i ngushtë i Ramës. Pastaj Fidel Ylli, nipi i Kahreman Yllit, sekretar partie dhe ministër Arsimi në kohën e diktaturës ka ardhur në PS si pjesë e botës së biznesit, por duket se lidhja më e fortë me partinë është ajo që i vjen nga tradita familjare, a është rastësi kjo? Tjetër: Mbesë e profesorit Marksist, Sërvet Pëllumbi është Olta Xhaçka, e cila vjen në pasarelën e nepotizmi partiak si modele; pa harruar këtu Gramoz Ruçin, sekretar partie në Tepelenë, ministri i fundit i diktaturës komuniste në vitet ‘90-‘91, Namik Dokle, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, Valentina Leskaj, ndihmëse e Vito Kapos, kryeredaktore e revistës “Shqiptarja”, Fatmir Xhafaj, sekretar i rinisë komuniste, janë disa nga ata që vazhduan karrierën politike me partinë ku ishin.
Në çdo vend të botës së Lindjes apo edhe të Oksidentit, në një situatë të tillë modifikimi gjenetik e mendor - cili kundërshtar politik nuk do ta përdorte këtë gjë? Ndërsa PD-ja që lindi si një lëvizje e gjerë anti-komuniste dhe me orientim liberal, ka përbërje të larmishme, ka të persekutuar, ka ish-anëtarë të partisë së punës, etj, por mendësi komuniste nuk ka assesi. është e padiskutueshme që nuk ka në drejtimin e saj bijtë e anëtarëve të Byrosë apo Komitetit qendror, madje lidershipi i Partisë Demokratike në shumicë vjen nga familje me probleme me diktaturën.