E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria përshëndet deklaratën e shefave të diplomacisë evropiane

Zëdhënësja, Majlinda Bregu: Do përmbushim të gjitha detyrimet, për të finalizuar me sukses lëvizjen e lirë në Evropë


Në emër të qeverisë shqiptare zëdhënësja Majlinda Bregu përshëndeti sot deklaratën e një dite më parë të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg. Zëdhënësja Bregu tha se qeveria do bëjë gjithçka për të përmbushur sa më shpejt kërkesat për liberalizimin e vizave. “Qeveria shqiptare përshëndet vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, marrë dje në Luksemburg, ku u rikonfirmua vullneti për mbështetjen e procesit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Në unanimitet të plotë Ministrat e Jashtëm të BE-së deklaruan dje se Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian do të marrin menjëherë vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo Komisioni të sigurojë se të gjitha kriteret e vendosura janë plotësuar. Qeveria shqiptare siguron forumet e larta vendimmarrëse në BE se do të përmbushë me seriozitet maksimal edhe detyrimet e fundit, për të finalizuar me sukses dhe sa më parë, aspiratën e madhe të të gjithë shqiptarëve: lëvizjen e lirë në Evropë. Në deklaratën përfundimtare të miratuar dje në Luksemburg nga Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, vlerësohet dhe nxitet procesi i reformave në vendet e Ballkanit. Shprehet edhe një herë vullneti i Unionit për integrimin e këtij rajoni në BE. Qeveria shqiptare vlerëson gjithashtu qëndrimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për zgjidhje të ngërçit politik në Shqipëri në bazë të parimeve kushtetuese, duke garantuar se kuadri ligjor dhe institucional i vendit mundëson transparencë të plotë të çdo dokumenti apo çështjeje në diskutim”, deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›