Berisha: Studentët u ngritën kundër diktaturës më të egër të Evropës
Kryeministri Sali Berisha në deklaratën e djeshme për shtyp e cilëson 20 shkurtin si ditën kur rinia shqiptare dhe mbarë shqiptarët ngadhënjyen në mënyrë përfundimtare mbi diktatorin dhe diktaturën më të egër të Evropës së Pasluftës së II-të Botërore. Zëdhënësja e kryeministrit, Juela Meçani në deklaratën për median u shpreh se “20 shkurti është Dita e madhe e shembjes së busteve të gjalla të diktaturës hoxhiste, shpartallimit të bllokut-bunker që kishte mbjellë shtypjen më të egër dhe më barbare, persekutimin më të thellë, ekzekutimet, burgosjet, internimet e pothuaj një të katërtës së shqiptarëve dhe kishte zhytur Shqipërinë në varfërinë dhe në izolimin më ekstrem e më të thellë”. “Më 20 shkurt diktatura hoxhiste, e plagosur për vdekje, do të bënte të gjitha përpjekjet që me zjarr e hekur, të rivendoste forcën e saj, do të ndërmerrte ekzekutimin e të rinjve në rrugët e Tiranës, me falangat e saj të drejtuara nga Ramiz Alia dhe Gramoz Ruçi, do të akuzonte Partinë Demokratike për terrorizëm dhe do të përpiqej ta nxirrte atë jashtë ligjit”, tha Meçani. Zëdhënësja theksoi se “sot pas 19 vitesh, Partia Demokratike në pushtet dhe koalicioni i saj qeveritar, dalin përpara shqiptarëve me zotimin solemn se garantimi i lirive dhe të drejtave të tyre, zgjerimi i tyre i vazhdueshëm, mbeten objektivat e përhershëm dhe më madhorë të programit të saj”.