Protesta para Qeverisë, minatorët përplasen me policinë
Protesta e minatorëve përpara Kryeministrisë përfundon në përleshje me policinë. Të mbledhur dje paradite përpara godinës së Këshillit të Ministrave, përfaqësuesit e Sindikatës së Minatorëve kanë tentuar të kalojnë kordonin e gjatë të policëve dhe të hyjnë në godinën e Qeverisë. Për disa minuta protestuesit janë përleshur me forcat e policisë, por ata nuk janë lejuar që të kalonin “gardhin” e uniformave blu, të vendosur përpara shkallëve të Kryeministrisë. Protesta zgjati disa orë ndërsa policia duke parë tensionimin e situatës ka lajmëruar edhe ndihmën e shpejtë në rast të një situatë emergjente. Në këtë protestë policia ka thirrur dhe një makinë ambulance për t’u ardhur në ndihmë protestuesve. Minatorët kërkojnë takim me kryeministrin Sali Berisha, deri tani i pamundur. Ata kërkojnë miratimin e statusit të minatorit në Parlament, një ligj që parashikon uljen e moshës së pensionit deri në 50 vjeç me 10 vite pune dhe rishikimin e pagës, duke e caktuar deri në 20 mijë lekë të reja. Kreu i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri kërkoi një takim me kryeministrin Sali Berisha për të parashtruar kërkesat e tyre. Ai akuzoi Qeverinë se ka qëndruar indiferentë ndaj kërkesave të tyre. “Kërkojmë me urgjencë miratimin e statusit të minatorit. Sali Berisha të mbledhë sot Qeverinë dhe ta miratojë”, tha Xibri për mediat. Minatorët kanë kërkuar edhe uljen e çmimit të energjisë elektrike. Xibri, pas mbylljes së protestës, deklaroi se ata do të vazhdojnë atë dhe në ditët e ardhshme. “Ne do vazhdojmë të protestojmë deri në plotësimin e kërkesave që i kemi parashtruar Qeverisë. Një minator është shtruar në spital për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, pas thyerjes që i bënë kyçit të krahut. Kemi persona që u rrahën, jo plagë të renda, por dhuna ishte e pranishme”, tha Xibri. Pas kësaj proteste ka reaguar dhe deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi, i cili doli në mbrojtje të minatorëve, duke shtuar se ata ishin në të drejtën e tyre për të kërkuar atë që ju është mohuar prej vitesh. “Minatorët ishin atje për të sjellë zërin e të gjithë minatorëve të Shqipërisë, të cilëve që nga viti 2007 në asnjë rast nuk ju janë marrë në konsideratë propozimet dhe kërkesat e tyre. Minatorët e gjithë Shqipërisë kërkonin premtimet e pambajtura të Qeverisë. Si është e mundur që mosha e pensionit është në kufirin pranë vdekjes së tyre. Minatorët e kanë tepër të vështirë për të marr atë pension minimal, ata e kanë tepër të vështirë për të punuar në ato kushte të vështira pune, apo skandaloze, prandaj ata ishin plotësisht në të drejtat e tyre”, tha Minxhozi. b.h