Qëlloi policin me levë, gjykata: burg pa afat për vrasje autorit
TIRANE - Goditja me mjete të forta ndaj një punonjësi policie i kushtoi lënien në qeli një 23-vjeçari. Fuat Xhima u la dje në masën e sigurisë "arrest me burg" nga Gjykata për Krimet e Rënda për veprën penale të "vrasjes në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë". Burime pranë seancës, sqaruan se Xhima nuk shfaqi pretendime para gjykatës, ndërsa mbrojtësi i tij ligjor kërkoi një masë më të lehtë sigurie. Xhima u arrestua mbrëmjen e së enjtes pasi kishte plagosur me mjete të forta në kokë policin e shërbimit në Komisariatin nr.6 në lagjen "Kombinat" në kryeqytet.Efektivi A.Hasanaj refuzoi që 23 vjeçari Xhima të parkonte përpara komisariatit të policisë. Për shkak të kundërshtimit të uniformës blu, 23-vjeçar Xhima e ka goditur atë në kokë me një mjet të fortë metalik duke i shkaktuar plagë të rënda. Menjëherë Xhima u prangos nga kolegët e Hasanajt. Po dje Gjykata për Krimet e Rënda la në masën "arrest me burg" për 30 ditë Admir Plakun. Nga prokuroria Plaku akuzohet për "trafik të qenieve njerëzore, për qëllime prostitucioni". Sipas organit të akuzës, ai dyshohet se ka shfrytëzuar si prostitutë në Greqi për disa muaj bashkëshorten e tij.