E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamëz, katër aksidente në rrugë brenda një ore



TIRANE - Katër aksidente automobilistike kanë ndodhur dje në mesditë në aksin rrugor Kamëz - Tiranë. Fatmirësisht, si pasojë e aksidenteve nuk pati të lënduar rëndë, po për shkak të përplasjes së mjeteve, deri në sqarimin e rrethana u desh që të bllokohej qarkullimi në mjaft vende. Rreth një kilometër pas mbikalimit në kthesën e Kamzës, u përplasën si pasojë e parakalimit të gabuar një furgon pasagjerësh dhe një autoveturë, të dy me targa të kryeqytetit. Po kështu, brenda pak minutash në zonën e Institutit u përplasën dy autovetura që ecnin drejt veriut të vendit. Rreth 30 minuta më vonë, pak metër larg komisariatit të Kamzës u përplasën dy mjete nga një i tretë që futej në rrugë kryesore nga një kryqëzim dytësor. Ndërsa aksidenti më rëndë i mesditës së djeshme ishte pranë shinave të hekurudhës në rrugën Institut-Tiranë. Një autoveturë tip Benz 2000 me targa të kryeqyteti përplasi në asfalt dy djem të mitur që po ecnin me biçikleta. Djemtë u përcollën me urgjencë për në Spitalin Ushtarak, ku pas ndihmës mjekësore kaluan rrezikun për jetën. Pas frenimit të Benzit të aksidentit, gjashtë mjete të tjera, përfshi edhe një kamion të ngarkuar me inerte u përplasën njëri pas tjetrit. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›