E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikuan 1.3 ton drogë, zbulohen kokat e bandës



TIRANE - Një ditë pas arrestimit të 36 personave të akuzuar për trafik lëndësh narkotike në Itali, Greqi, Shqipëri dhe Belgjikë, zbulohen personat që përbenin "kokat" drejtuese të organizatës kriminale. Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila ka hetuar çështjen, në Shqipëri drejtuesit e rrjetit ishin shtetasit Fabardh Kapllanaj dhe Maringlen Hallka, të arrestuar më parë në kuadër të një tjetër dosje trafiku të koduar me emrin "Vjosa". Ndërkohë edhe në Itali, kokat drejtuese të rrjetit ishin shqiptarët. Sipas hetimit, personazhet kryesore të organizatës kriminale e cila akuzohet se ka trafikuar në Itali 1.3 tonë drogë kanë qenë të vendosur në disa qytete. Në Sicili personi ndërlidhës ka qenë Elidon Minga i cili ndihmohej nga Lefter Maskaj, i njohur si "Lame", 28 vjeç, lindur në Vlorë. Po kështu personazhe të tjerë të organizatës në Itali, kanë qenë Lirim Aga, 34 vjeç, lindur në Synej Kavajë, rezident në Trani, Nase Hoxhaj, 33 vjeç, rezident në Chiavari dhe Habip Hysi, i njohur si "Biku" 50 vjeç, rezident në Leçe. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë e cila ka shpallur në kërkim edhe katër persona anëtarë të bandës, mësohet se po zhvillon hetime bashkë me palën italiane për veprimtarinë e grupit kriminal. Dje mediat italiane shkruanin se Prokuroria e antimafias në Leçe e zbuloi me kohë veprimtarinë e bandës që trafikonte drogë nga kanali i Otrantos ndërsa në pamundësi për t'i arrestuar anëtarët e saj në Shqipëri, ia përcolli dosjen Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila zbatoi urdhër arrestet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›