Bora i merr jetën 23-vjeçarit
KOLONJE/ GEZIM ASHIMI
Shkon për të marrë ushqime, por vdes nga i ftohti 23-vjeçari. Servet Beqo, nga fshati i largët Mbretan i komunës së Novoselës në Kolonjë u gjet pa jetë në një rrëpirë të malit të Radomit, pas kërkimesh të shumta nga policia dhe banorë të zonës. I riu ishte nisur dy ditë më parë me një mushkë për të marrë furnizim me ushqime në qendrën e komunës, për shkak se familja e tij, por edhe 6 të tjera që ka ky fshat prej 5 ditësh ishin izoluar nga bora. Beqo kishte arritur të udhëtonte deri në qendrën e komunës dhe më pas kishte nisur një rrugë të gjatë që mban rreth 5 orë në këmbë për t'u kthyer pranë familjes së tij. Për shkak të motit të keq dhe trashësisë së madhe të dëborës që i shkaktuan lodhje, i riu ka qëndruar përkohësisht në një fshat. Banorët i kanë kërkuar të qëndronte aty atë natë dhe më pas të vazhdonte udhëtimin drejt familjes. Por 23-vjeçari nuk ka pranuar dhe vazhdoi rrugën i vetëm në dëborë dhe në lartësinë e malit të Radomit. Sipas të dhënëve, në një moment, i riu është ndjerë keq për të vazhduar rrugën së bashku me mushkën e ngarkuar me ushqime. Ai e ka lënë kafshën të lidhur pas një peme dhe për të shpëtuar veten ka vazhduar sërish rrugën në dëborën e trashë për të arritur në shtëpi. Burime të policisë së Kolonjës thanë se 23-vjeçari ka humbur jetën prej ngrirjes në dëborë prej të paktën 48 orësh nga largimi i tij nga shtëpia. Kjo u provua nga gjendja e trupit të tij kur u gjet i rrëzuar në një rrëpirë mali. Për më shumë se 3 orë, në një terren të thyer malor dhe të vështirësuar nga trashësia e dëborës, forcat e policisë kanë kërkuar në malin e Rodomit, në një vend ku ndahet rrethi i Kolonjës me atë të Përmetit. Aty kanë gjetur trupin e pajetë, pa shenja dhune. Dy pjesëtarë të ekipit që shkoi në vendin e ngjarjes, në kthim janë detyruar të marrin ndihmën mjekësore nga udhëtimi i gjatë dhe vështirë në dëborë.