Borxhi, gjendet i vetëvarur 23-vjeçari
GJIROKASTER - Borxhi ka shtyrë në vetëvarje një 23-vjeçar nga Tropoja. Eduart Coli është gjendur i pajetë në karrocerinë e një mauneje të braktisur në Doganën e Kakavijës. Të paktën kështu është shprehur Hamit Lukaj, shoku i viktimës i cili mjaft herë shprehte brengën e tij që nuk e linte rehat. "Mjaft herë më thoshte që e kam të pamundur të shlyej atë që kam marrë", shprehet Hamiti për shokun e tij të punës, Eduart Coli. Ky i fundit punonte si karrocier për transportin e bagazheve të udhëtarëve në Kakavije çka nuk e linte pa para. Për një transport të bagazheve nga pjesa shqiptare e doganës në atë greke dhe anasjellas, ai merrte deri në 10 euro. Sipas mikut të tij, Eduarti ndonëse fitonte mjaftueshëm në ditë, shumicën e të hollave i konsumonte për të pirë alkool gjatë orëve të mbrëmjes në lokalet e Kakavijës. Mendohet se ka qenë në gjendje të dehur kur ka kryer dhe vetëvrasjen. p.n