Berisha: Suksesi i qeverise, dyfishimi i rroges per 40 mije mesues e pedagoge

Fotot Update
Tiranë, 7 mars, 14:12, NOA - Me anë të një ceremonie madhështore në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, kryeministri Sali Berisha ka uruar sot të gjithë arsimtarët shqiptarë me rastin e 7 Marsit.
Atmosfera ishte atraktive, ku përmes teknologjisë së lartë, risi ishte lidhja me video-konferencë më stafin pedagogjik të një shkolle krejtësisht të re në Fushë Arrëz.
Ndërkohë, para dhe pas fjalimit, Berisha dhe 4500 mësuesit e pedagogët e pranishëm u shoqëruan nga një dekor festiv, që ndiqej nga një prej këngëve më hit të dekadave më parë, këngë e cila arrin të ekzaltojë njerëzit duke i krijuar një situatë të gëzueshme festive.
Sipas tij, mësuesit kanë ndikuar në ngritjen e kulturës dhe formimin dijes së fëmijëve shqiptarë. “Ndryshimi arrihet përmes dijes dhe gara për dijen është promotor i qeverisë sime. Kemi humbur kohë më shumë se çdo komb tjetër dhe prandaj ndryshimi i shpejtë është përcaktues për të ardhmen tonë”, deklaroi kryetari i qeverisë.
Më pas, ai përmendi premtimin elektoral për rritjen e pagave të mësuesve, i cili sipas tij ka arritur që të mbahet.
“Ne u zotuam këtu para katër vitesh për forcën e madhe të arsimit se do t’i ndihmonim mësuesit për kushtet e tyre dhe e mbajtëm fjalën. U angazhuam se në mandatin tonë të parë do të rrisnim rrogat e 44 mijë mësuesve dhe pedagogëve të vendit, ishte një angazhim i vështirë dhe jo pak prej tyre ishin skeptikë për mbajtjen e këtij premtimim por ne treguam se ditëm ta mbajmë fjalën”, tha Berisha.
Duke krahasuar qeverisjen e tij me atë socialiste, Berisha tha se qeveritë e mëparshme e kishin pakësuar buxhetin për mësuesit, ndërsa ai feston i gëzuar se e ka mbajtur premtimin se në vitin 2009 mësuesit do të kishin dyfishin e rrogës.
“Rreth 44 miliardë lekë është buxheti aktual që ne kemi për arsimin kundrejt 80 miliardë lekë që ishte buxheti i socialistëve prej 4 vitesh për këtë sektor”, tha Berisha.
Sipas Berishës, nxënësi dhe mësuesi i aftë është besimi i qeverisë së tij dhe atyre do t’u jepet edhe në të ardhmen vendi që meritojnë.
“Kjo do të jetë pranvera e NATO-s dhe ajo e internetit”, përfundoi fjalën e tij kryeministri.
n.e/NOA
Shihni dhe foton bashkelidhur
Shkarko attachment >> March_7_13_40_15IMG_9136_469159080.jpg