E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sulme të turpshme ndaj ekonomisë


Kreu i qeverisë Sali Berisha mbron rritjen ekonomike duke deklaruar se ditët e fundit është bërë një sulm i paskrupullt ndaj ekonomisë. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se për ekonominë u duhet referuar fakteve dhe jo të dhënave të sharlatanëve. Ai ka premtuar gjithashtu se rritja e rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë.
"Ekonomia shqiptare ka një stad pozitiv. Këtë e ka bërë pa u trembur nga një propagandë mjerane që thotë nga mëngjesi në darkë kriza, kriza", theksoi ai. Kryeministri i cilësoi këto deklarata si të turpshme.
"Në mënyrën më amorale po marrin sulm edhe ndaj bankave. Të turpshme. Ne rast se në vendet e tjera ish-komuniste investimet kanë pasur rënie 25-50%, ekonomia ka rënë nga 4-14 % dhe janë ulur 2 herë rrogat, në Shqipëri investimet u rritën me 59%, eksportet u shoqëruan me rritjen e tyre në 140% me prodhimet shqiptare", shtoi kreu i qeverisë.
Duke deklaruar se opozita vuan nga sindromi i krizës, Berisha tha se shpreson të vazhdojë ky besim i investitorëve, të ketë rritje të kreditit dhe depozitave. "Atyre le t'u mbetet në kokë sindromi i krizës", nënvizoi ai.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha Berisha akuzoi drejtpërdrejt ish-guvernatorin Shkëlqim Cani se po sulmon financat e vendit, duke u sjellë si sharlatan.

Ndërkohë që ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani në një prononcim për "Ora News" pas akuzave të kryeministrit Berisha se kishte dhënë deklarata të paqena për ekonominë, tha se kishte parashikuar këtë përkeqësim të ekonomise shqiptare, por nuk do hyjë në debat ekonomik me Berishën.
"Nuk hyj në debat ekonomik me Berishën. I këshilloj Berishës të mos krijojë probleme. Kam analizuar ekonominë dhe kam paralajmëruar qeverinë e Berishës se çfarë do i ndodhte ekonomisë. I them Berishës që të hapë kërkimet lidhur me pritshmërinë e ekonomisë. Ekonomia ka rrjedhur më keq nga sa kam parashikuar unë", u shpreh Cani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›