E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frattini: Bashkëpunim politik për integrimin

Asnjë forcë politike nuk duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për të mos bashkëpunuar në këtë proces të integrimit të Shqipërisë. Kjo ka qenë deklarata e ministrit të Jashtëm të Italisë, Franco Frattini në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha. "Ramë dakord me kryeministrin Berisha se gjithë forcat politike duhet të punojnë së bashku për aspiratat integruese të Shqipërisë në BE. Asnjë forcë politike shqiptare nuk duhet të marrë përsipër përgjegësinë për të mos bashkëpunuar në këto momente për integrimin e Shqipërisë", nënvizoi ai.
Ndër të tjera, Frattini tha se për Shqipërinë synimi politik është i dyfishtë. "Synojmë të arrijmë përfitimin e statusit kandidat për Shqipërinë brenda vitit dhe vendimin për heqjen e vizave brenda verës", u shpreh ai. Por Frattini deklaroi se për integrimin e Shqipërisë duhet bashkëpunim i forcave politike. Ministri i Jashtëm theksoi se
Italia synon të thellojë bashkëpunimin dypalësh. "Ishte e frytshme biseda për zhvillimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe të enegjisë bërthamore. Do punojmë bashkë për të nxitur edhe Korridorin 8", shtoi ai.

Ndërsa nga ana e tij, kryeministri Berisha tha se marrëdhëniet Shqipëri-Itali janë të shkëlqyera. Berisha falenderoi ministrin Frattini për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë.
Kreu i qeverisë vlerësoi së tepërmi investimet italiane në vendin tonë. "Vitin e kaluar janë shënuar 4 miliardë euro investime italiane në Shqipëri në fushën energjitike e në sektore te tjera. Italia ëshë partner kryesor në bashkëpunimin tregtar", shtoi ai.
Kreu i qeverisë foli edhe për enegjinë bërthamore duke deklaruar se do përgatisë Shqipërinë të përfitojë në këtë fushë. "Përshëndes takimin e fundir Berlusconi -Sarkozy për të ridimensionuar kampin e energjisë bërthamore. Qendroj i vendosur për të përgatitur vendin tim të përfitojë në këtë fushë", theksoi Berisha.
Sa i përket heqjes së vizave, kryeministri Berisha theksoi se Frattini është një avokat i madh për Shqipërinë në këtë proces. "Shqipëria ka bërë hapa të mëdha për heqjen e vizave, ka siguruar kufijtë dhe ka pajisur qytetarët me karta identiteti", shtoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›