Berisha Sulmon Ramën për klientelizëm me reklamat mediatike
>Pronarët e medias janë të damkosurNe nuk bëjmë si kryetari i bashkisë që i përjashton mediat që nuk i do dhe ua jep atyre që do, pa asnjë kriter. Ka qenë kjo përgjigjja e Kryeministrit Berisha pas interesimit të medias, lidhur me deklaratën e tij për heqjen e reklamave shtetërore nga mediat, të bërë 3 vjet më parë, kur sapo kishte ardhur në pushtet.
Kështu, Berisha ka dashur të justifikojë deklaratën e tij të bërë në vitin 2005 kundër reklamave shtetërore në media, ndërkohë që sot vazhdojnë të jepen fonde për të reklamuar punët e qeverisë për disa minuta të tëra në televizione. Gjatë konferencës së tij për mediat, kreu i qeverisë tha se, për sa i përket reklamave, nuk kemi deklaruar se nuk do të bëjmë reklama, por kemi deklaruar se do të bëjmë promovim të paanshëm. Më tej ai deklaroi se, do të doja që të gjitha mediat ti merrnin ato, por kjo do ta bënte faturën të papërballueshme nga qeveria dhe ne, absolutisht në mënyrën më të paanshme, në përputhje me çmimin që kanë, ua japim tre mediave kombëtare, tha Berisha. Gjithashtu gjatë deklaratës Berisha cilësoi se, në momentin që një media tjetër të fitojë licencën kombëtare, ne jemi të gatshëm pa asnjë diskriminim t`i ndajmë në katër, pesë apo sa të jenë. Më tej kreu i qeverisë shprehu se është një shumë e papërballueshme për qeverinë për të dhënë licenca kombëtare. Prandaj tha ai, kjo është një gjë shumë e ndershme. Ia japim televizionit shtetëror, i cili, padrejtësisht, ka tarifa më të ulëta se dy televizionet e tjera kombëtare që cilat kanë çmime të kripura, por që ne jemi të detyruar t`ua japim edhe atyre, sepse del sikur po ia japim vetëm televizionit publik. Ndër të tjera ai shprehu se, ne kemi bërë këtë zgjidhje, me mediat kombëtare. Ne nuk bëjmë si kryetari i bashkisë që i përjashton mediat që nuk i do dhe ua jep atyre që do, pa asnjë kriter. Kryetari i bashkisë, nëse do të dojë të jetë i ndershëm, mund t`ua japë mediave lokale, meqenëse është kryetar lokal. Por ai jua jep televizioneve kombëtare, edhe atyre lokale dhe vetëm atyre që kontrollon dhe kjo është shumë e rëndë. Kjo duhet t`ju shqetësojë ju, si gazetarë. Por nuk e keni ju fajin, sepse përgjegjës janë pronarët që çdo raport i damkos. Në qoftë se ka njerëz të damkosur në të gjitha raportet, janë pronarët e mediave,- nënvizoi më tej Berisha.