E Diel, 1 Nëntor 2026

I plotë Rumunët në pranga, abuzuan duke tregtuar bizhuteri ari të rreme

Tiranë, 17 janar 14:58 NOA – Pesë persona, nga Rumania, janë ideatorë dhe zbatues të një mashtrimi që është përhapur gjerësisht në Shqipëri, me bizhuteri ari të rreme

Strukturat e hetimit të Krimit Financiar në Policinë e Tiranës, pas kurorëzimit të superoperacionit të organizuar dje, ku u sekuestruan afro 1200 koli parfume të firmave të ndryshme dhe arrestuan në flagrancë dy persona e proceduan tre të tjerë, të cilët ushtronin aktivitetin e tyre kontrabandë në Tiranë, sot u mundësua goditja e një tjetër grupi me aktivitet të paligjshëm.

“Në vazhdimësi të këtij operacioni, ky sektor ka arritur tashmë të finalizojë me sukses një tjetër operacion i koduar “Bizhuteritë false”, duke vendosur nën pranga pesë persona me kombësi dhe shtetësi rumune”, - sqaroi policia.

Ata janë:

Ion Miclescu, 32 vjeç, me shtetësi e kombësi Rumune.

Nemes Miclescu, 36 vjeç, me shtetësi e kombësi Rumune.

Donel Gunici, 24 vjeç, me shtetësi e kombësi Rumune.

Dragos Miclescu, 25 vjeç, me shtetësi e kombësi Rumune. (Foto qendrore)

Fondor Tinceulescu, 43 vjeç, me shtetësi e kombësi Rumune. (Foto bashkalidhur)

Policia tha se kapja dhe arrestimi i tyre u krye në sajë të bashkëpunimit me Komisariatin e Policisë Kavajë, duke zbatuar më së miri metodat e speciale të hetimit intensiv përreth afro një muaj investigimi.

“Në sajë të posedimit të informacioneve operative, mbi aktivitetin e tyre të shtrirë në rrethet Fier – Berat - Lushnjë, u arrit kapja në flagrancë e tyre në segmentin rrugor Lushnje – Kavajë”, - treguan burimet hetimore.

Ata detajuan se të dyshuarit u kapën, përgjatë momenteve të tregtimit të bizhuterive të ndryshme floriri të dyshuara false, me automjetet e tyre me targa të huaja.

Policia theksoi se në sajë të një pune të mirëfilltë operacionale, u dokumentua tërësisht implikimi i tyre në këtë aktivitetet të paligjshëm, të cilët dyshohet se këto bizhuteri false ia shisnin tregtarëve duke i mashtruar, me çmimin e mesatar në treg, të bizhuterive të floririt.  

Pasi u kryen veprimet hetimore dhe proçeduriale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

      – 68 unaza të madhësive dhe formave të ndryshme.

      – 10 varëse të formave të ndryshme të ngjashme si varëse floriri.

Një kartë krediti e cila dyshohet e klonuar.

Si dhe dy automjete dhe 5 - telefona celularë.

Policia tha se aktualisht janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe proçeduriale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Tiranë, për veprat penale të “Mashtrimit” në “bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 143/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Por momentalisht, po vazhdon puna për thellimin e mëtejshëm të hetimeve apo identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Në këtë kuadër, policia deklaroi sot se një ndër prioritet e punës së saj është dhe do të jetë, dokumentimi ligjor i kallëzimeve të deponuara nga të dëmtuarit, apo kapjen e menjëhershme të autorëve të cilët konsumojnë vepra të ndryshme penale, gjë e cila tregon angazhimin maksimal të të gjitha strukturave menaxhuese dhe operuese të Policisë së Tiranës, e cila ka në fokus të saj, goditjen e ç’do veprimtarie kriminale apo personave të implikuar në këto veprimtari, duke vepruar në zbatim të ligjit.

a.k/NOA

Shkarko attachment >> Fondor_Tinceuleseu_470390238.jpg

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›