Berisha, Ahmeti: Këtë pranverë, ndërtohet Rruga e Arbrit
Kryeministri Berisha prit dje kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të Maqedonisë, Ali Ahmeti, me të cilin diskutoi zhvillimet në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Kryeministri Berisha përshëndeti kontributin që z. Ahmeti dhe BDI-ja kanë dhënë dhe po japin në qeverisjen e Maqedonisë. Ndër të tjera, ata u shprehën për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve. Z. Ahmeti e informoi Kryeministrin Berisha dhe lidhur me disa investime mjaft të rëndësishme në fushën infrastrukturore në Maqedonisë, të cilat do të ndikojnë në lehtësimin dhe përmirësimin e lëvizjes në rajon. Kreu i BDI-së u shpreh se ketë pranverë do të fillojë ndërtimi i vazhdimit të Rrugës së Arbrit, në territorin e Maqedonisë, si dhe është shpallur tenderi për ndërtimin e hekurudhës që lidh kufirin shqiptar me qytetin e Shkupit.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij për këtë lajm dhe theksoi se ndërtimi i këtyre rrjeteve lidhëse janë prioritet i tij dhe i qeverisë shqiptare. Duke u ndalur edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri dhe ato presidenciale dhe lokale në Maqedoni, Kryeministri Berisha dhe kryetari i BDI-së Ahmeti theksuan angazhimin e tyre për të bërë të gjitha përpjekjet për realizimin një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.