E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri në Durrës: Shqiptarët do lëvizin pa viza në Evropë



PD-ja u krijua 18 vjet më parë si parti e çështjes kombëtare dhe tashmë po përmbush ëndrrën euroatlantike të shqiptarëve, duke lëvizur pa viza në Evropë. Këtë fakt përmendi mbrëmë lideri i mazhorancës, Sali Berisha, gjatë mitingut të madh të organizuar në Durrës me rastin e 18-vjetorit të krijimit të degës së PD-së. Para simpatizantëve të shumtë që kishin mbushur ambientet e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”, Berisha foli për ndryshimet e mëdha që ka pësuar Shqipëria përgjatë 4 viteve të qeverisjes së djathtë. Ai nënvizoi se së bashku do ta bëjmë Shqipërinë kandidate të BE-së dhe së bashku do të lëvizim në gjithë Evropën pa viza, si gjithë qytetarët e saj. Sipas tij, ëndrra euroatlantike e shqiptarëve po shndërrohet në realitet. Kryeministri Berisha solli në kujtesë dhjetorin e vitit 1990 kur PD, partia e parë opozitare në vend, pas gati 50 vjet regjim komunist, u krijua fillimisht në Tiranë e më pas në Durrës dhe në të gjithë vendin për të shembur regjimin më të egër diktatorial në vendet ish-komuniste. Z. Berisha u ndal në përpjekjet e kësaj force politike për përmirësimin e jetës së qytetarëve, integrimin e vendit në Evropë. Kryeministri vuri në dukje reformat që ka ndërmarrë qeveria që drejton në këto rreth 4 vite si në drejtim të tregut të lirë, rritjen e rrogave dhe pensioneve, ndërtimin e shkollave, ujësjellësve, rrugëve etj. “Qytetarët e mbarë Shqipërisë sot janë më të sigurt së kurrë ndonjëherë, sepse në luftën tonë me zero tolerancë ndaj krimit çmontuam dhe vumë para ligjit bandat kriminale”, - tha kreu i qeverisë, duke theksuar se treguesit e kriminalitetit janë nën mesataren e treguesve të vendeve të BE-së. Kryeministri solli në vëmendje edhe përmbylljen së fundi të ratifikimit të MSA-së Shqipëri-BE, nga 27 vendet e këtij organizmi. Kryeministri i cilësoi këto vite të qeverisë që drejton si vite të ndryshimeve të mëdha. “Këto ishin vitet në të cilat Kosova u bë e pavarur”, - theksoi z. Berisha, duke nënvizuar se PD u krijua në Durrës dhe kudo si parti e çështjes kombëtare. Kryeministri vuri në dukje se "shpirti i qytetit tuaj të lashtë është shpirti i tregut të lirë". Brenda tre viteve, - tha Berisha, - me reformat e suksesshme që ndërmorëm e ngjitëm Shqipërinë në çatinë e botës, duke lënë mbrapa 52 vende të botës. Kryeministri garantoi biznesmenët durrsakë se në vitet që vijnë, liria e tregut do të jetë më e madhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›