E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ligji nuk prek të dorëhequrit



Kryeministri Sali Berisha paralajmëron anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, politikanët, pjesën drejtuese të administratës së shtetit se në rast të implikimit me ish-Sigurimin e diktaturës, do të ikin nga vendimmarrja. Duke nënkuptuar në këtë rast dorëheqjet, si rrugën më të mirë, Berisha pohoi dje se ligji nuk do të prekë askënd që do të largohet me dëshirën e vet. Por sipas tij, asnjë ish-spiun i Sigurimit të Shtetit nuk do të mund të kandidojë për deputet në listat e ardhshme të 28 qershorit 2009. Ai e konsideroi si akt individual dhe pozitiv dorëheqjen e prokurorit Zamir Shtylla. Kryeministri vuri në dukje se ligji nuk do ta prekë më atë. “Ligji shqiptar nuk bën persekutime, ai parashikon që ata që japin dorëheqje, me ata nuk merret me njeri. Kjo është normale. E gjykoj këtë pozitive. Kur të vijnë zgjedhjet, ata që kanë probleme nuk do të kandidojnë, vetvetishëm nuk besoj të kandidojnë, kështu që procesi kalon në mënyrë shumë të civilizuar”, - u shpreh z. Berisha. Kurse për atë çfarë do të ndodhë pas ankimimit të ligjit nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, kreu i qeverisë bëri të qartë se kush është në konflikt interesi, nuk mund të marrë pjesë në vendimmarrje. Berisha argumentoi se ky vend nuk ka pranuar dhe as nuk mund të pranojë vendimmarrje në konflikt interesi.

Përgjigjja ndaj kritikave të KE-së

Në këtë mënyrë Kryeministri Sali Berisha mbrojti ligjin e dosjeve, ndaj të cilit vetëm pak orë para daljes së tij në konferencën e KE-së përmes Terri Devis shprehu rezerva për anën e kushtetutshmërisë së ligjit. Berisha pohoi se ligji i dosjeve, për vetë përmbajtjen që ka, nuk u shpëton dot kritikave, por për sa i përket Shqipërisë, u krijua më shumë mbi baza morale. Për Kryeministrin shqiptar, i cili përmendi shembuj të vendeve të tjera ish-komuniste, ligjet e dosjeve në Evropën Lindore janë shpikur para se të hartoheshin kriteret evropiane. “Deklaratat e Terri Devisit i respektoj ashtu siç është i respektuar edhe institucioni i tij. Nuk ka ligj lustracioni pa kritika. Të gjitha këto ligje kanë një aspekt të kritikueshëm. Aspekti është kufizim i të drejtave të njeriut. Procesi për ligjin e dosjeve në vendet e tjera ka nisur përpara dokumenteve të Këshillit të Evropës, por është në përputhje me to”, - deklaroi Kryeministri. Sa u përket standardeve evropiane që Davis theksoi nga Strasburgu se në ligjin shqiptar mungojnë të tilla, Berisha vuri theksin tek standardet morale. Ai siguroi se respekton një standard moral të Shqipërisë. Berisha pranoi se kemi të bëjmë me një gjendje të diskutueshme, por sipas tij ky popull ka një moral. Gjithashtu hodhi poshtë dhe kritikën tjetër të KE-së se ligji i dosjeve nuk ka një afat kohor. “Ligji i dosjeve ka një afat. Pra është plotësisht në përputhje, ka afat 5-vjeçar, nuk është pa afat ligji. Vendet e tjera kanë kontraktuar sanksione sociale, ne i jemi përmbajtur parimit të Këshillit të Evropës, ato parime që ata kanë përdorur për krimet e tyre. Ligji ynë nuk ka sanksione sociale. Kam shmangur çdo gjë personale”, - tha kreu i qeverisë, Sali Berisha. Sipas tij, Shqipëria ka të drejtë të ketë një ligj lustracioni ashtu sikundër Rumania, Çekia dhe vendet baltike. Kjo është dhe përgjigjja e Kryeministrit pas deklaratave të bëra nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terri Deivis, sipas të cilit ligji shqiptar për lustracionin nuk përcakton afate dhe cenon liritë e të drejtat e njeriut. Berisha pranoi se ligji mund ketë çështje të diskutueshme për të drejtat e njeriut por të cilat sipas tij, janë trajtuar me kujdes sipas parimeve të Këshillit të Evropës.

“Do të bëj zgjedhjet më demokratike”|

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, premtoi dje se do të organizojë zgjedhjet me modelin më demokratik që kanë njohur shqiptarët Duke përshëndetur dekretin e Presidentit për datën 28 qershor si dita e zgjedhjeve të reja parlamentare, Berisha garantoi një proces të lirë dhe të ndershëm. Por përmes mediave, Berisha kërkoi dhe ndihmën e qytetarëve shqiptarë me qëllim që ata të votojnë të sigurt ditën e zgjedhjeve. Berisha përshëndeti ratifikimin e MSA-së të Shqipërisë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe para mediave u zotua publikisht për zgjedhje të ndershme, por i kërkoi edhe popullit shqiptar të japë kontributin për të realizuar këtë qëllim. “Duhet të zotohem me solemnitet se objektivi parësor absolut do të jetë një proces i ndershëm zgjedhor, një proces i denje për moralin qytetar. Garantoj qytetarët për këtë. Qeveria u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të japin kontributin e tyre për të dhënë një proces të ndershëm dhe të lirë”, - tha Berisha.

“Ratifikimi i MSA-së, meritë e reformave të qeverisë”

Përfundimi i procesit të nënshkrimit të MSA-së nga 27 vendet anëtare të BE-së është një shtytje e fortë që vendi të kandidojë sa më parë për statusin e vendit kandidat. Këtë bëri dje të ditur Kryeministri Sali Berisha i cili konfirmoi se së shpejti qeveria do të fillojë negocimin me presidencën çeke për të aplikuar për statusin e vendit kandidat". Sipas Berishës, ratifikimi nga 27 vendet anëtare të BE-së përbën dhe bazën ligjore për Shqipërinë për të merituar statusin e vendit kandidat. Duke e cilësuar këtë një "akt historik" dhe meritë të përmbushjes së reformave nga qeveria, z. Berisha tha se "ne iu përmbajtëm me seriozitet angazhimit tonë të shpallur me ardhjen në pushtet, se vetëm realizimi i reformave do të jetë alfa dhe omega jonë". "Firmosja u bë e mundur nga lufta pa kompromis kundër korrupsionit, që u dëshmua dhe nga raporti i Transparency International i vitit 2008. Kjo luftë e shkëputi Shqipërinë nga lista e vendeve më të korruptuara të planetit. Dhe në këtë kuadër, drejtësia shqiptare vendosi para ligjit me dhjetëra zyrtarë të akuzuar për korrupsion", - nënvizoi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›