E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi:Berisha dhunon shtetin e së drejtës

>Zv.Kryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi/ LSI i kërkon qeverisë të jetë më realiste ndaj problemeve që ka vendi
Berisha dhunon shtetin e së drejtës. Qeveria ka pasur dhe ka një raport shumë negativ me shtetin e së drejtës dhe jo rastësisht kjo qeveri është kundërshtuar, është kritikuar dhe është denoncuar për ndërhyrjet që ka bërë në sistemin e së drejtës, duke filluar nga ndryshimet kushtetuese, duke vazhduar me Reformën Zgjedhore, me Reformën në Drejtësi, dhe duke përfunduar edhe me goditjet e fundit që i janë dhënë sistemit të prokurorisë me kalimin e atij ligji që, siç dihet, e vë prokurorinë nën tutelën e ekzekutivit. Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar nga qeveria të jetë më me këmbë në tokë dhe dhe të shohë në sy problemet e mëdha që ka dhe me të cilat përballet vendi. Nënkryetari i LSI, Pëllumb Xhufi, u shpreh dje në një konferencë për shtyp, se "në këtë vit sfide të madhe, siç është viti 2009, qeveria duhet të zbresë me këmbë në tokë dhe të shohë në sy problemet e mëdha që ka dhe me të cilat përballet vendi. Sipas tij, Qeveria  është tërësisht e papërgatitur dhe e pamotivuar për t'u përballuar me krizën financiare,  dhe se buxheti i vitit 2009, nuk parashikon asnjë fond të veçantë emergjence për tu përballur me situatat e krizës që po vjen. Më tej ai tha se, lajmi i mbylljes së ciklit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian është një lajm i mirë, i cili u prit si i tillë nga LSI, e cila ka shprehur të gjithë vullnetin dhe gatishmërinë e saj që, si gjithnjë, të vazhdojë të kontribuojë, bashkë me aktorët e tjerë politikë, ekonomikë e socialë për avancimin e statusit të Shqipërisë në raport me Bashkimin Evropian. Megjithëse qeveria Berisha ka tashmë një mandat të kufizuar, edhe gjashtë muaj,-cilësoi Xhufi,  ne duam të nënvizojmë me forcë se përgjegjësia kryesore për procesin e integrimit të Shqipërisë, për lehtësimin e regjimit të vizave, ashtu dhe për arritjen e aplikimit të statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian, që janë dy nga sfidat më të afërta, i takojnë, në radhë të parë, qeverisë së zotit Berisha. Ndër të tjera Xhufi shprehu se, ne konstatojmë se qeveria Berisha, sidomos në këtë fazë, kur është përfshirë edhe nga avujt e fushatës elektorale nuk po tregon ndërgjegjen e duhur për tu përballuar me sfidat dhe me prioritet e vendit. Ajo nuk ka dëgjuar, ka injoruar totalisht vërejtjet që kanë ardhur, qoftë nga aktorët e tjerë politikë, socialë dhe ekonomikë të vendit, por ka injoruar gjithashtu edhe vërejtjet dhe këshillat e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të institucioneve të rëndësishme financiare, siç është edhe rasti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili jo rastësisht u reduktua, për vullnet të kësaj qeverie, nga statusi i një institucioni që merrte pjesë në përpunimin e politikave ekonomike, bashkë me qeverinë shqiptare, në një institucion thjesht këshillues. Gjithashtu Xhufi nënvizoi se, LSI vë në dukje me shumë shqetësim që në një vit, i cili paralajmërohet të jetë një vit i vështirë për të gjithë botën, natyrisht edhe për Shqipërinë, që do të jetë një vit i krizës së madhe, jo vetëm i sistemit financiar, por edhe i sistemit produktiv, qeveria shqiptare është tërësisht e papërgatitur dhe e pamotivuar për tu përballuar me këtë sfidë,-tha ai. Ajo nuk ka përpunuar realisht asnjë politikë, e cila të mbështesë me fonde ndërmarrjet e kompanitë në vështirësi, apo bankat e nivelit të dytë. Më tej Xhufi tha se, buxheti i vitit 2009, nuk parashikonte asnjë fond të veçantë për një fond emergjence për tu përballuar me situatat e krizës që po vjen. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare, e ka zhveshur tërësisht rolin rregullator dhe garantues që ka shteti në zhvillimet e vendit. Në këtë koncept janë bërë, gjatë muajve të kaluar, edhe privatizimit, shitjet e aseteve më të fundit që qeveria dhe shteti ka pasur në kompanitë me kapital publik, siç ishte rasti i AMC, rasti i Vodafone dhe i kompanive të tjera ish- publike. Qeveria, gjithashtu,-tha Xhufi,  ka ndjekur një politikë të investimeve, e cila nuk udhëhiqet nga interesat e vendit, nga interesat e qytetarëve, por ka qenë një politikë investimesh të dyshimta në raport me interesat e qytetarëve, me interesat e vendit dhe me interesat e ambientit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›