E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria organizon forumin ndërfetar për rajonin



Rritje e bashkëpunimit ndërfetar, ndëretnik dhe ndërkulturor në rajon, në katër fusha kryesore si ajo e arsimit, të rinisë, emigracionit dhe medias. Këtë parashikon “Deklarata e Tiranës”, e cila u miratua dje nga Forumi për "Dialogun ndërfetar në Evropën Juglindore". Në Hotel Sheraton në Tiranë u mbajt Forumi për "Dialogun Ndërfetar në Evropën Juglindore", nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit, Sali Berisha dhe në kuadër të Aleancës së Qytetërimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, theksoi dje se të gjitha vendet në Evropën Juglindore kanë ndërtuar tashmë një bashkësi vlerash dhe aspiratash politike që ndajnë frymën e fqinjësisë së mirë, të solidaritetit, të progresit ekonomik dhe integrimit në komunitetin euroatlantik. Një vend të rëndësishëm zuri dhe fjala e katër përfaqësuesve kryesorë të feve në Shqipëri, mesazhi i të cilëve zgjoi interes të veçantë tek të pranishmit. Në deklaratën e Tiranës u vendos që takime të tilla të organizohen çdo dy vjet. Mbajtja e këtij forumi erdhi si iniciativë e qeverisë Shqiptare për të promovuar kulturën e paqes, mirëkuptimit e dialogut ndërfetar, ndërkulturor e ndëretnik në Evropën Juglindore. Shqipëria, si një shembull shumëshekullor i harmonisë, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërfetar, që simbolizohet më së miri nga fryma e respektit të thellë mes tre komuniteteve kryesore fetare të vendit, atij mysliman, ortodoks dhe katolik, e mori këtë iniciativë me qëllim institucionalizimin e një mekanizmi takimesh periodike mes vendeve të Evropës Juglindore, ku përmes dialogut konstruktiv të bëhet i mundur shkëmbimi i eksperiencave pozitive në drejtim të bashkëpunimit ndërfetar, ndëretnik dhe ndërkulturor në rajon. Të pranishëm në këtë forum ishin përfaqësues të qeverive të Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe Sllovenisë si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, OSBE-ODIHR, UNESKO dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›