E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ta falim Ramën, ai nuk din se ç‘bën

Gjatë inaugurimit të rrugës që të çon drejt bregdetit Tale-Lezhë, kreu i qeverisë nuk ka lënë pa thumbuar edhe asamblenë e PS-së të zhvilluar dy ditë më parë me dyer të mbyllura. Duke kaluar nga infrastruktura në zhvillimet e brendshme në kampin socialist, Berisha ka theksuar se "për pjesën tjetër, ajo që mund të them për ta është: Shih e shkruaj. Ajo që ndodhi dje me ta, për shumë të rinj që patën fatin e madh e të mirë të mos përjetonin asnjë ditë në diktaturë, mund të kalojë si një gjë e parëndësishme. Por për ne, që kemi përjetuar për dekada diktaturën, ai ishte rikthimi i të shkuarës më të zezë të historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, me një emër të ri". Pas 18 vitesh, tha Berisha, socialistët u mblodhën në errësirë, në terr informativ dhe nuk lejuan kamerat të marrin qoftë edhe një pamje të vetme që t‘u tregonin shqiptarëve se çfarë po ndodhte. "Errësira është kriteri i tij, terri është kriteri i vërtetë i tij. Ai ishte një atavizëm i atij që ka frikë nga vetja e tij, ka frikë nga rrezja e dritës. Pas 9 orë takimi të fshehtë, sikur të ishte plenum i Komitetit Qendror, zgjodhi një fytyrë të re për të komunikuar me publikun, ish-ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçin", u shpreh Berisha para banorëve të fshatit Tale në Lezhë. Gjithashtu ai i ka kujtuar kryetarit të PS-së, Edi Ramës, se e respekton plotësisht Partinë Socialiste dhe çdo forcë tjetër politike si një pasuri të madhe të pluralizmit të vendit, por disa rregulla dhe standarde janë të detyrueshme. Ne, tha Berisha, nuk merremi me faktin se kush vjen e kush rri në krye të partisë, nuk merremi me faktin nëse iu pre apo jo mandati ndokujt, sepse ato janë probleme të statutit të tyre. Por, tha ai, ne merremi me transparencën dhe me disa standarde, sepse nuk mundesh që ta përdorësh lirinë për të zhytur në errësirë një forum të tërë; nuk mundesh të vesh mure komunikimi me publikun. Megjithatë, theksoi kreu i qeverisë, "meqenëse ai është në panik dhe në dëshpërim të madh, tek e fundit le t‘ia falim edhe kësaj here, sepse nuk di se ç‘bën. ‘Falja Zot, se nuk di se ç‘bën‘, kaq mund të themi për të".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›