E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Tadic mirëpriti ftesën për të vizituar Shqipërinë

TIRANE- Kryeministri Berisha deklaroi gjatë takimit me anëtarin e kryesisë së Kosovës Petrovic se ka ftuar presidentin serb Boris Tadic në Shqipëri pasi tani marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një kapitulll të ri. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp Berisha tha se në cdo samit ka patur takime me presidentin serb Tadic i cili sipas Berishës ka mirëpritur ftesën për të vizituar Shqipërinë. “Në cdo samit takohem me presidentin Tadic dhe ajo cka vlerësoj shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet midis dy vendeve tona, për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie. Presidenti Tadic është i mirëpritur në Shqipëri dhe unë dua tu them se po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Presidenti e ka mirëpritur ftesën për të ardhur në Shqipëri” u shpreh kryeministri Berisha. Edhe vizitën e Petrovic në vendin tonë, Berisha e ka cilësuar historike ndërkaq në konferencën për shtyp u bë e ditur se qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 400 mijë eurosh si ndihmë për komunën e Gracanicës. Petrovic e ka cilësuar këtë ndihmë mjaft të rëndësishme ndërsa theksoi se ajo nuk shkon vetëm në ndihmë të komunitetit serb. “Ne e vlerësojmë shumë të rëndësishme idenë e qeverisë së Berishës për të qenë një nga vendet që do të ndihmojë komunat e reja të formuara në Kosovë. Ky është një xhest më shumë se simbolik duke ditur se në vendin tuaj situata ekonomike nuk është më e mira. Edhe në një situatë të tillë ju jeni të gatshëm tu vini në ndihmë atyre që kanë nevojë. Jam i sigurtë që në këtë mënyrë ne cojmë një mesazh të qartë që do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit. Miqtë tanë në Bruksel dhe ëashington do ta vlerësojnë shumë këtë projekt. Dëshiroj të besoj se dhe vende të tjera në rajon do ta marrin shembullin e Shqipërisë . Kjo ndihmë nuk shkon vetëm për komunitetin serb por dhe për atë kosovar dhe për institucionet e Kosovës.” theksoi Petrovic i cili zhvilloi sot një takim edhe me kryetaren e kuvendit Jozefina Topalli. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›