E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, Berisha apel opozitës për thyerjen e bojkotit

TIRANE- Gjatë fjalimit të mbajtur në seancën e fundit parlamentare të këtij viti, Kryeministri Sali Berisha e ka vënë theksin në apelin drejtuar opozitës për thyerjen e bojkotit. Ndërsa nënvizoi se mazhoranca do të plotësojë cdo kërkesë legjitime të opozitës Berisha shtoi se tempulli i demokracisë nuk mund të dalë kurrsesi mbi gjykatat ne lidhje me kërkesën për hapjen e kutive të votimit. “Shpresoj që vitin e ardhshëm opozita të zerë vendin e saj në Parlament. Të bllokosh hyrjen e opozitës në Parlament duke kërkuar që ky tempull të dalë mbi një vendim gjykate është e pamundur. Kutitë do t’i kishim hapur 100 herë për opozitën, por procedurat juridike dhe ligjet nuk lejojnë që ky tempull të marrë pushtetin gjyqesor”, theksoi Berisha. Kreu i qeverisë shtoi se opozitës do t’i jepet hapësira e saj për të kontribuar në realizimin e reformave të domosdoshme për integrimin e vendit. “Opozita do të ketë hapësirën e nevojshme për reformat, në mënyrë që të luajë rolin e vet në procesin e integrimit”, theksoi kryeministri. Ndërkaq kryeministri përcolli nga foltorja e Kuvendit urimet për festat e fundvitit për të gjithë deputetët e pranishëm dhe për të gjithë shqiptarët. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›