E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Të ardhurat nga privatizimet, për ish-pronarët”

Autori i Lajmit: Redaksia

Të gjitha të ardhurat që do të sigurohen nga privatizimi i aseteve shtetërore do të shkojnë për fondin e ish-pronarëve. Premtimi i përsëritur është bërë dje nga kryeministri Sali Berisha. “Vlerat e krijuara nga procesi i privatizimit do të jenë një mundësi më e madhe e Qeverisë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë”,- është shprehur kryeministri Berisha gjatë takimit të organizuar dje lidhur me procesin e privatizimit të aseteve publike duke përjashtuar digat, shkollat dhe spitalet, në të cilin merrnin pjesë ministra dhe specialistë të fushës. Berisha tha se ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme. Më tej ai shtoi se ky proces është i domosdoshëm dhe jetik, para së gjithash, për tu ndarë me një zinxhir korrupsioni në sipërmarrjet publike, në sipërmarrjet ku shteti është aksioner dhe në tërë pronat që janë çerdhet e korrupsionit. “Në këtë proces ne synojmë të rrisim në një nivel të ri menaxhimin e aseteve në Shqipëri. Në Shqipëri dhe kudo, një nga qëllimet madhore të privatizimit është përmirësimi i menaxhimit”, - tha ai. Berisha shtoi se armiku numër një i privatizimit është korrupsioni. “Ai përpiqet të bëjë çdo gjë për ta bllokuar atë, sepse status quo-ja u leverdis atyre, i mjelin si lopën dhe i fusin në xhepat e tyre aksionet publike të qeverisë apo sipërmarrjet e tjera më radhë. Armiku i dytë është burokracia jonë, e cila zvarrit këtë proces që duam të ecë me shpejtësi të madhe”, - tha ai. Kreu i Qeverisë ka shtuar se privatizimi është një provë jashtëzakonisht e rëndësishme për administratën. “Ne jemi shumicë dhe kemi pushtetin për të marrë çdo vendim në interes të këtij procesi, për të thjeshtuar hallkat dhe procedurë në interesin më të mirë”, - theksoi ai.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›