Kreu i PS në Fier: “Në tryezën e Presidentit, pas konsultës me aleatët”
Autori i Lajmit: RedaksiaAleatët e Partisë Socialiste do të kenë mendimin e tyre në tryezën e negociatave në zyrën e presidentit Bamir Topi, edhe pse nuk do të jenë prezent atje. Kjo do të bëhet e mundur, sepse PS do të jetë e pranishme në këtë tryezë vetëm pas konsultimit me ta. Kështu pohoi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimit të radhës të zhvilluar dje në qytetin e Fierit. “Deri më tani është marrë në konsideratë mendimi i aleatëve të PS-së. Edhe për tryezën tek Presidenti që është vendosur të shtunën do të konsultohemi po me përfaqësuesit e “Frontit për Shqipërinë”. Para takimit do të merret mendimi i tyre”, - siguroi kryesocialisti. Kryetari i opozitës, në takimin e Fierit, i cili ishte i treti pas atij të Tiranës dhe Durrësit, u është përgjigjur mbi 40 pyetjeve. Përgjigjet e tij kanë qenë të lidhura totalisht me hapjen e kutive të votimit. Ai ka risqaruar edhe një herë se, në rast të hapjes së kutive të votimit objekt hetimi do të jenë jo vetëm materialet zgjedhore, por dhe fletët e votimit. “Gjithçka që është brenda kutive do të hetohet”, - ka sqaruar ai, ndërsa nuk ngurroi ti quante të korruptuar komisionerët që kanë abuzuar. Sipas Ramës, hetimi i zgjedhjeve do ti japë fund pikërisht korrupsionit të komisionerëve qofshin këta të PS-së apo PD-së. Ai tha se takimi i së shtunës mund të mbyllet edhe me një etapë, ndërsa u shpreh i vendosur se me çdo formë do të realizohet zbardhja e së vërtetës së zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2010